Pejë, 11 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Në spitalin rajonal të Pejës aktualisht janë duke u trajtuar 64 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2, 44 pacientë janë në oksigjeno- terapi ndërsa 11 të tjerë në gjendje të rëndë.

Nga raporti gjithashtu thuhet se dy pacientë janë shëruar nga infeksioni COVID-19.

IKShPK dje ka njoftuar se në Kosovë janë regjistruar 267 raste pozitive me coronavirus, ndërsa brenda 24 orëve është shënuar një rast i vdekjes si pasojë e infeksionit.

Deri më tani Kosova ka të regjistruar mbi 55 mijë qytetarë me SARS-CoV-2, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.