Nga fillimi i pandemisë me COVID-19 janë infektuar 1,210 mjekë

Mantelbardhët janë vija e parë e frontit që nga fillimi i pandemisë duke u përkujdesur për pacientët e prekur nga SARS-CoV-2.

Në Kosovë nga 13 marsi i vitit të kaluar deri më tani janë infektuar 1,210 mjekë, 18 prej tyre kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve në Kosovë, ka konfirmuar për KALLXO.com se 23 mjekë janë aktualisht aktivë me virusin COVID-19.

Në anën tjetër SARS-CoV-2 ka prekur rreth 1,300 infermierë në nivel vendi përderisa 11 prej tyre kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

“Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore, deri më tani janë rreth 1,300 infermierë që janë prekur me COVID-19. Fatkeqësisht është një numër prej 11 infermierëve dhe punonjësve tjerë shëndetësorë të cilët kanë ndërruar jetë nga COVID-19. Prej tyre, 3 kanë qenë të pensionuar kurse të tjerët kanë qenë duke punuar në institucionet shëndetësore në kohën sa janë infektuar dhe kanë ndërruar jetë”, konfirmojnë për KALLXO.com nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 ka filluar të rritet përsëri në nivel vendi. Sot janë regjistruar 461 raste për 24 orë.

Në nivel vendi mbi 67 mijë persona janë infektuar me coronavirus, prej tyre mbi 58 mijë janë shëruar ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

COVID-19 për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës në nëntor 2019.

Për një vit e tre muaj në botë janë infektuar mbi 112 milionë njerëz, ndërsa 2 milionë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Përhapja e COVID-19 te stafi shëndetësor, shifrat e fundit të infektimeve