Rreze Serhati- Morina - Foto: KALLXO.com

A shkaktohet diabeti nëse një person konsumon shumë sheqer ?

Diabeti është më i shpeshtë në vendet ku njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi mënyrës së të ushqyerit, thotë në një postim endokrinologia, Rreze Serhati- Morina.

Sipas saj konsumimi i tepruar i sheqerit shkakton obezitet, sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut dhe probleme të shumta shëndetësore, por lidhja e sheqerit me diabetin e tipit dy është komplekse dhe jo shumë e qartë.

“Shumica e mjekëve konsiderojnë se sheqeri si faktor i vetëm nuk e shkakton diabetin, por diabeti është një gjendje e komplikuar që shfaqet si pasojë e një varg faktorësh.” thotë ajo.

Sipas Serhati- Morinës, lloji më i shpeshtë i diabetit është diabeti i tipit dy në të cilin ka ndikim pesha e shtuar trupore poashtu edhe trashegimia.

“Edhe diabeti tip 1 si edhe diabeti tip 2 ndikojnë në aftësinë e organizmit që ta rregullon nivelin e sheqerit në gjak.Konsumimi i sheqerit nuk shkakton diabetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por konsumimi i tepërt bën që të shtohet pesha trupore dhe obeziteti është faktor rreziku për zhvillimin e diabetit tip 2” thotë ajo.

Sipas endokrinologes diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune kur sistemi imunitar i sulmon qelizat të cilat prodhojnë insulinën dhe mungesa e insulinës ndikon në ç’rregullimin e metabolizmit të sheqerit.

“Nëse një person me diabet han shumë sheqer, atëherë gjendja e tij përkeqësohet, prandaj personat me diabet duhet të jenë të kujdesshëm në konsumimin e sheqerit” porosit mjekja.