ShBA e gatshme për të përkrahur institucionet e sigurisë të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, priti në takim njoftues shefen e Zyrës Politike-Ekonomike në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Jessica Long.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes ShBA-së dhe Republikës së Kosovës, për çështjen e sigurisë në vend dhe për sektorin e gjendjes civile të Kosovës.

“Ministri Gashi gjatë këtij takimi kërkoi nga Long vazhdimin e përkrahjes në forcimin e rendit dhe ligjit si dhe e falënderoi atë për përkrahjen që ka dhënë ShBA për projektet në kuadër të MPB-së ndër vite. Long shprehu gatishmërinë e ShBA-së për përkrahjen e institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në këtë takim u diskutua edhe për shërbimet e gjendjes civile dhe sistemin e unifikuar të gjendjes civile, ku ShBA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm që ky sistem të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.