Foto: Kallxo.com

Reagime rreth organizimit të ekskursionit të Gjimnazit të Mitrovicës

Mënyra e organizimit të ekskursionit për nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë ka ngjallur përsëri reagime ashtu siç ka ndodhur edhe në vitin 2015.

Kompania e përzgjedhur për transportin e nxënësve të Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë është kompania “Ariani”, e cila është pronë e familjarëve të ish-drejtorit komunal të prokurimit, Besnik Beka.

Kompanitë konkurrente të cilat kanë marrë pjesë në këtë tender thonë se kjo ka ndodhur vetëm  për shkak të lidhjes familjare mes Bekës dhe kompanisë “Ariani”.

Xaja Peci, menaxher i kompanisë “Unioni Travel” në Mitrovicë i zhgënjyer nga tenderi thotë se më nuk do të marrë pjesë pasi sipas tij dihet personi i cili do ta fitojë tenderin.

“Nuk do të marrë pjesë më në këtë tender. Çka ki me shku kur e din që gjithmonë fiton kompania ‘Ariani”, thotë Peci për KALLXO.com.

Ai thotë se lidhja familjare e kësaj kompanie me zyrtarë komunalë ka ndikuar që ajo të përzgjidhet si kompania fituese në tender.

“Po ka ndikuar, aty shkon me çmimin më të lirë, ky e ka pasur çmimin më të shtrenjtë, 98 euro e ka pasur ndërsa ne e kemi pasur 85 euro, në të njëjtin hotel. Të gjitha dokumentet i kemi pasur në rregull, por këtu shikohen lidhjet familjare”, thotë Peci për KALLXO.com.

Se ka ndikuar lidhja familjare e kompanisë “Ariani” thotë edhe Shpëtim Osmani, menaxher në kompaninë “Sion Tours” në Mitrovicë, e cila po ashtu ka marrë pjesë në tender.

“Po kemi marrë pjesë si çdo vit. Ka ndikim lidhja familjare që ka kjo kompani me Komunën, për atë ka fituar”, thotë Osmani.

Osmani shton se sado që të jetë oferta e kandidatëve të tjerë, përsëri dihet se kush e fiton tenderin.

“Oferta ime ka qenë 105 euro kësaj radhe, sepse edhe nëse e kemi 60 euro ose 200 euro përsëri njëjtë është”, shprehet Osmani.

Por, akuzat se ka ndikuar Besnik Beka në këtë tender i mohon menaxheri i kompanisë “Ariani”, Fitim Beka.

“Jo, nuk është e vërtetë që ka ndikuar Besniku. Nuk kam informata nëse ka pasur kompani më të shtrenjta apo jo, vetëm e di se njëra ka qenë me dokumente të falsifikuara”, thotë Beka.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin  e gjimnazit “Frang Bardhi në Mitrovicë, Ismet Ferizi, i cili thotë se përzgjedhja e transportit dhe i gjithë organizimi është bërë në bazë të rregullave.

“Në bazë të udhëzimit administrativ këshilli drejtues i shkollës shpall tenderin për kompaninë e cila do të bëjë transportin. Kompania e përzgjedhur duhet t’i plotësojë disa kushte, të ketë numrin e autobusëve i cili na duhet, të ketë dokumentacionin në rregull e të gjitha këto”, thotë Ferizi për KALLXO.com.

Ai shtoi se kompania e përzgjedhur është e vetmja qe i ka përmbushur kërkesat e tyre.

“Është kompani e vetme që posedon 11 autobusë të cilët na duhen neve, ka dokumentacionin në rregull, dhe ka qenë i gatshëm për transport në datat të cilat ne kemi kërkuar”, thotë Ferizi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Iset Beka thotë se nuk është e vërtetë se lidhjet familjare kanë ndikuar në këtë tender, por sipas tij kushtet dhe kriteret kanë ndikuar që kjo kompani të përzgjidhet.

“Jo, nuk është absolutisht e vërtetë. Ju mund të vini edhe t’i shikoni dokumentet se cila kompani i ka pasur kushtet dhe kriteret më të mira” thotë Beka.

Ai shtoi se kompania “Ariani” ka qenë më e mira në këtë tender, dhe për këtë arsye edhe është përzgjedhur.

“Ajo kompani që ka qenë më e mira është përzgjedhur. Ne nuk mundemi me i dërgu fëmijët edhe me na mbetë rrugëve”, thotë Beka.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Besnik Bekën, për ta pyetur nëse ka pasur ndikim në këtë tender, por Beka nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve tona.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte trajtuar temën e ekskursioneve në Mitrovicë gjatë vitit 2015.

https://kallxo.com/tenderi-i-ekskursioneve-i-fituar-nga-njerezit-nen-dardhen-e-pushtetit/

Kallxo.com