Shoferi i ish-Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj i tregon gishtin e mesit qytetarit-VIDEO

Zyrtari policor dhe shoferi i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, Besnik Beka gjatë javës së kaluar ka shfaqur sjellje të pahijshme para një qytetari.

 

 

Ky i fundit duke parë sjelljet e policit Beka, ka bërë një video incizim ku shihet se si polici i tregon gishtin e mesit.

Rasti është dërguar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës ndërsa këta të fundit në mungesë të elementeve të veprës penale e kanë përcjellur rastin në polici për hetim të brendshëm.

“IPK ka pranuar ankesën në fjalë dhe në mungesë të elementeve të veprës penale e njëjta është përcjellë tek Drejtoria për hetim të brendshëm dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës për trajtim në aspektin disiplinor – administrativ”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e ish- Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

I njëjti ka pranuar se personi në video është shoferi i tij ndërsa shton se është në dijeni për atë që ka ndodhur.

“Po flas në bazë të shoferit i cili më ka raportuar për rastin, shoferi më ka dërguar në shtëpi dhe ka u kthy një djal i ri e ka kritikuar se po i keqpërdorin veturat e shtetit. Të paktën kështu e kam raportimin nga shoferi dhe vazhdimisht, ky shoferi nuk e ka hap as xhamin e veturës as kurrgjë dhe pastaj po më duke se ja ka bërë me gisht apo me dorë se nuk po e di. A ka qenë të martën apo të mërkurën e kaluar nuk e di”, ka thënë Qalaj.

Qalaj thotë se një gjest i tillë nuk do të duhej të ndodhte.

“Më ka raportu shoferi edhe janë duke e trajtu rastin edhe IPK. E kam si informatë, më ka raportu në mëngjes dhe më ka thënë se ka vepru keq ndërsa i kam thënë se është dashtë mos me ndërmarë gjesë të tilla për hir të pozitës. Por edhe ne nuk mund të marrim të gjitha përgjegjësitë për gjithësecilin.Unë prapë se prapë e konsideroj të papranueshme gjestin e tij (shoferit), pavarësisht provokimeve, ne së paku duhet të jemi profesionist, ndoshta më mirë kish qenë me thirrë një patrullë e me u marrë pastaj ata me rastin se sa me bë gjeste të tilla”, tha Qalaj.

Për rastin KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje dhe koment nga Besnik Beka përmes Zyrës për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, por deri në publikim të artikullit nuk ka pasur përgjigje.