Besnik Beka, ish zevendes minister ne MZHE Foto: Facebook

Dorëhiqet zëvendësministri i AKR-së, thotë se Valdrin Lluka nuk i çoi politikat e AKR-së përpara

Besnik Beka, që deri para pak kohe ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë, pasi që sipas tij, ministri Valdrin Lluka nuk i ka dërguar përpara objektivat e partisë, por iu është përgjigjur dikujt tjetër.

“Valdrini nuk ka qenë pjesë e partisë asnjëherë edhe përderisa nuk arriten objektivat e partisë, unë s’kam arsye me nejt në një qeverisje ku Valdrini i përgjigjet dikujt tjetër”, tha Besnik Beka për KALLXO.com

Madje sipas tij, ministri Valdin Lluka nuk është ministër i emëruar nga AKR.

“Valdrini nuk është ka merret me objektivat e partisë. Ai nuk është ministër i emëruar prej partisë. Dinamikën e punës të cilën e ka Valdrini i përgjigjet realisht partive tjera, jo AKR-së”, tha tutje Beka për KALLXO.com

I pyetur se a kanë komunikuar me ministrin Lluka, ai thotë se për shkak të mos-komunikimit ka ardhur edhe dorëheqja.

“Nuk është që kemi pasur komunikim, për shkak të mos-komunikimit, unë jam këtu ku jam”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin Valdrin Lluka, por ai nuk ka dashur ta komentoj.

“Kontaktoni këshilltarët e mi”, tha Lluka, ani pse u pyet për marrëdhëniet e tij kolegiale me Besnik Bekën.

Beka thotë se për vendimin dhe arsyetimin e dorëheqjes e ka lajmëruar edhe kryetarin e partisë, Behgjet Pacollin.

Beka tutje thotë se nuk ka qenë i kënaqur as me këtë Qeveri e cila ka pasur një numër kaq të madh të zëvendës ministrave.