Raportet e Progresit, Vështirë të Kuptueshme

Lëvizja FOL ka analizuar të gjitha raportet e progresit për Kosovën që nga viti 2008 e deri në vitin 2014 ku ka evidentuar problemet kryesore në të cilat nuk është shënuar progres por edhe ka analizuar metodën e përpilimit të këtij raporti.

Në këtë analizë të FOL thuhet se edhe pse Raporti i Progresit është një instrument i rëndësishëm i matjes së progresit, ai është shkruar me një gjuhë të balancuar dhe shumë teknike duke vështirësuar për institucionet e Kosovës kuptimin e drejtë të asaj që raporti konsideron si progres, regres apo progres të pjesshëm.

“Raporti shumë herë krijon konfuzion se si është bërë matja e progresit dhe regresit në fusha të caktuara, i mungon qartësia se si është bërë matja e progresit/regresit gjë e cila ka paraqitur edhe sfidën kryesore të gjatë analizimit të raporteve të progresit dhe studimit të fizibilitetit përgjatë kësaj periudhe”, thuhet në analizë.

Ndërkaq, për të diskutuar për këtë raport, FOL mbajti një diskutim me temën “Kosova sipas Raportit të Progresit 2008 – 2014”, ku u diskutuan problemet në luftën ndaj korrupsionit, Sundimin e Ligjit, Reformimi i Administratës Publike dhe Sistemit të Drejtësisë.

Përfaqësues të FOL thanë se fjalët kyçe që janë përdorur më së shpeshti nga Komisioni Evropian nga viti 2008-2009 janë, korrupsioni, transparenca dhe llogaridhënia. Kjo e fundit është përdorur më së shumti në vitin 2014.

Ndërkaq, Thomas Gnocchi, shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Integrimit i Zyrës së BE-së, duke folur për përpilimin e Raportit të Progresit, tha se metodologjia e përpilimit të raportit ndryshon nga viti në vit ndërkaq sipas tij, këtë vit në raport janë dhënë më shumë detaje.

“Unë nuk do ta quaja mungesë profesionalizmi. Ne kemi përshirë shumë detaje që i kemi marrë nga burime të ndryshme dhe si përfundim vlerësimi është i ynë dhe ne qëndrojmë prapa këtij vlerësimi”, tha Gnochi.

Si problemet kryesore të evidentuara në Raportin e Progresit e që janë nënvizuar edhe në analizën e FOL është lufta kundër korrupsionit, ku sipas këtyre të fundit Institucionet e Kosovës kanë dështuar të japin rezultatet e pritura për shkak të prezencës së korrupsionit.

Lidhur me këtë, Gnocchi ka thënë se pritjet janë që Qeveria e re ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit por edhe përmirësimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik e reformat në administratën publike.

“Nuk them se nuk është sfiduese të bëhen të gjitha për njëherësh por kjo duhet që të bëhet”, tha ai.

Ndër tjera problemet që Kosova ka është edhe Reformimi i Administratës Publike.

Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile, tha se Kosova ka një Administratë e cila është e painformuar rreth zhvillimeve në kuadër të agjendës Evropiane.

“Kemi vite që synojmë të ndërtojmë një administratë efikase dhe sot ajo rezulton të jetë e paaftë të krijojë ndryshime. Në esencë ka ngecur zbatimi”, tha ajo.

Sipas Hajrullahut, veç këtij problemi, duhet që të kihet parasysh edhe lufta kundër korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik.