Arkiv: Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Prishtina në Ditën e Çlirimit me Varreza pa Përkujdesje

Në ditën kur Prishtina po shënon përvjetorin e 17-të të çlirimit, por varrezat në të cilat prehen dëshmorët e komunës së Prishtnës janë lënë në mëshirë të askujt, pa përkujdesje.

Mbi 40 varret e dëshmorëve të vendosura në një kodër afër lagjes Velania në Prishtinë, do të duhej t’i bënin “rojë” dhe t’i jepnin ngjyrë e imazh kryeqytetit.

Por deri më sot, ato nuk duken të tilla.

Që këto varreza nuk janë nëgjendje të mirë e pranon edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.

Ai për KALLXO.com ka thënë që kujdesi për mirëmbajtjen e varrezave te dëshmorëve nuk është në nivelin e duhur.

“Varrezat e dëshmorëve nuk janë duke u mirëmbajtur si duhet, kur dihet se kemi një agjencion që përkujdeset për varrezat e dëshmorëve, për lapidarët, ndërtimin, pastrimin dhe rregullimin e këtyre varrezave”, tha Jashari.

Jashari thotë që nuk e din nëse është neglizhencë nga ana e institucioneve përkatëse mirëpo duhet të ketë një kujdes më të shtuar për këto varreza.

“Në qoftë së nuk ndërmerret një hap i shpejtë për mirëmbajtjen dhe rindërtimin e varrezave të dëshmorëve ka rrezik që komuna tjera që kanë ndërtuar varrezat e dëshmorëve si Shtimja, Malisheva, Lipjani dhe komunat tjera të kërkojnë që të zhvarrosen dëshmorët dhe të varrosen nëpër komunat se nga ata vijnë”, tha ai.

Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com
Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në komunën e Prishtinës Naser Pacolli, tha që kujdesi duhet të jetë më i shtuar për të gjitha varrezat e dëshmorëve në komunën e Prishtinës, ndërsa për  kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani ai thotë se është bërë përzierje e varrosjes së dëshmorëve dhe veteranëve të cilët janë varrosur pas përfundimit të luftës.

“Varrezat janë të përziera për shkak se aty janë 27 varreza të dëshmorëve dhe janë 11 varreza të veteranëve që kanë vdekur pas luftës kështu që në kohen kur janë varrosur këta pas luftës nuk e kanë zgjedhur lokacionin e duhur në kuptimin vendin e duhur për shkak se i kanë fut në mes varrezave të dëshmorëve dhe kjo na merr kohë deri sa ta bëjmë një zgjidhje adekuate”, thotë ai.

Ndërkaq, sipas tij, mirëmbajtja e varrezave është më e mirë se e herëve tjera.

Blerim Berisha, vëllai i dëshmorit Besim Berisha, thotë për KALLXO.com se ndërprerja e ndërtimit të varrezave është shqetësuese për ta.

“Mirëmbajtja është më e mirë në krahasim me vitet e mëparshme mirëpo  brenga e jonë është që  firma që i ka marr me i rregullu varrezat në Prishtinë e cila ka qenë e kontraktuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor e ka ndërprerë punën të cilën e ka filluar që dy vite”, tha Berisha.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët kanë thënë që nuk është nën përgjegjësinë e tyre të përkujdesen për varrezat.

MMPH thotë se është përgjegjëse vetëm për mirëmbajtjen e kompleksit tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, që gjendet brenda rrethojave të njëjta me varrezat e dëshmorëve.

Ndërkaq drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Idriz Blakaj thotë se gjendja e mjerueshme e këtyre komplekseve është e tillë si pasojë e mungesës së buxhetit për mirëmbajtjen e tyre ndërsa u jep të drejtë të gjithë atyre që ankohen për gjendjen e këtyre memorialeve.

“Familjarët e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta me plot të drejtë ankohen sepse gjendja e memorialëve me të vërtetë është tepër shqetësuese” thotë Blakaj.

Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com
Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com