Panairi “Blej Shqip” Bashkon Shqiptarët në Prishtinë

Prodhuesit e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, u bënë bashkë në sheshin qendror të Komunës së Prishtinës për të hapur panairin unik “Blej Shqip”, në kuadër të festës së 28 Nëntorit.

Drejtori i Ekonomisë dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi dolën për të parë vendosjen e stendave dhe për t’u njohur me prodhuesit dhe produktet në panair.

Bashota tregoi se pjesëmarrëse në panair janë 50 kompani nga Kosova, 50 nga Shqipëria dhe 13 nga Maqedonia.

“Qëllimi i këtij organizimi me rastin e Festës së Flamurit, është që pak a shumë kompanitë shqiptare dhe kosovare po edhe ato të Maqedonisë ku janë shqiptarë të gjejnë një vend ku mund të shkëmbejnë përvojat e tyre. Në anën tjetër edhe konsumatorët të njihen me prodhimet vendore”, tha Bashota.

Kurse ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi tha se “Blej shqip” do të jetë sot dhe nesër kryefjala e këtij aktiviteti të madh që për herë të parë i ka bashkuar prodhuesit shqiptarë për të promovuar vlerat ekonomike që mbartë rajoni.

“Ne mendojmë që me këtë do t’i jepet një nxitje më e madhe iniciativave të ndryshme në gjithë  hapësirën shqiptare, që të shikohet mundësia që të prodhojmë shqip, të blejmë shqip dhe të shkëmbejmë shqip”, theksoi Minxhozi.

Edhe pjesëmarrësit e panairit, u ndanë të kënaqur me këtë organizim.

Xhyliana Moci nga Shkodra si dhe Idriz Qela nga Kruja thanë se Kosova ka qenë gjithmonë treg i hapur për ta.

“Ne e kemi prit me një gëzim të madh me ardhë e me punu këtu. Shumë ka të interesuar për mbulesa, çarçafë, pëlhurë, për gjëra të vjetra kanë shumë interes”, shtoi Moci.

“Për prodhuesit shqiptarë gjithmonë Kosova ka qenë një treg i hapur dhe mjaft i mirë”, pohoi Qela.

Panairi i prodhimeve shqiptare “Blej shqip”, organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë.

Ai solemnisht do të hapet nesër me pjesëmarrjen e ministrit të Ekonomisë së Shqipërisë Arben Ahmetaj.