Valentina Tufina, e quajtur "Tezja e Kokainës" - Foto: KALLXO.com

Nesër Aktgjykimi në Rastin e ‘Tezes së Kokainës’

Dhënia e fjalës përfundimtare nga mbrojtja e Veim e Vebi Berishës dhe Alban Zenës shënon fundin e gjykimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës të rastit ku e akuzuar është edhe Valentina Tufina, e njohur si “Tezja e kokainës”.

Prokurori dhe avokati i të akuzuarës Valentina Tufina e kanë dhënë fjalën përfundimtare më 16 qershor 2016, ndërsa vetë e akuzuara ishte mbrojtur në heshtje.

Haxhi Millaku, avokati i të akuzuarit Veim Berisha, në fjalën përfundimtare kishte vërejtje në aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

“Mbrojtja konkludon se narkotiku është ditur se në dorën e kujt ka qenë, ata kanë emër dhe mbiemër. Po ashtu, është ditur se kush e bëri transportimin e këtij narkotiku. Po ashtu, është ditur se ku është kjo sasi, ku është burimi i kësaj sasie dhe si ka arritur në katin e dytë të shtëpisë se Veimit”, tha avokati.

“Veim Berisha është viktimë potenciale e këtij rrjeti”, deklaroi Millaku.

Avokati kërkoi nga Gjykata që gjatë matjes së dënimit ndaj klientit të tij si rrethanë lehtësuese të marrë se është mbajtës i familjes dhe nuk ka të kaluar kriminale. Po ashtu, ai kërkoi qe masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

“Pajtohem me ato qe tha avokati im dhe nuk kam çka të shtoj”, deklaroi ndërkaq i akuzuari Veim Berisha.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Vebi Berisha, avokati Veton Rrecaj, fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi të shkruar.

“Në bazë të provave të administruara në shqyrtimet kryesore nuk është vërtetuar teza e aktakuzës. I mbrojturi im padrejtësisht është ngarkuar me këto akuza, andaj Gjykatës i propozoj që ndaj të mbrojturit tim të marrë aktgjykim lirues”, deklaroi Rrecaj.

Po ashtu, avokati kërkoi nga Gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të hiqet masa e arrestit shtëpiak.

“Pajtohem në tërësi me fjalën e avokatit tim”, deklaroi, ndërkaq, i akuzuari Vebi Berisha.

Edhe Selmon Bogiqi, avokat i të akuzuarit Alban Zena, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se aktakuza është e pabazuar në raport me të mbrojturin e tij. “Prokurori i ka marrë për bazë vetëm provat fajësuese e jo edhe ato shfajësuese”, tha avokati.

Avokati Bogiqi kërkoi nga Gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza si dhe t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

“Pajtohem me fjalën e avokatit dhe nuk kam asgjë për të shtuar”, deklaroi i akuzuari Alban Zena.

Më pas, prokurori i rastit deklaroi se fjala përfundimtare e avokatëve dhe e të akuzuarve ishte e pabazuar dhe e paargumentuar.

“Sa i përket ndryshimit dhe heqjes se masës për të akuzuarit ende nuk kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa, andaj nga Gjykata kërkoj që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë në bazë të ligjit”, tha prokurori.

Prokuroria Speciale akuzon Veim e Vebi Berishën, Alban Zenën e Valentina Tufinën se gjatë muajit qershor të vitit 2014, në bashkëpunim me të pandehurit Reald Hysolli dhe Gëzim Çela nga Shqipëria, kanë blerë dhe poseduar kokainë për ta shitur.

Sipas aktakuzës, kokaina në sasi prej 7 kilogramësh ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa është përpunuar nga Valentina Tufina në shtëpinë e Veim dhe Vebi Berishës në fshatin Rosuj të Pejës.

Kjo sasi kokaine pastaj e ndarë në 14 pako është transportuar përsëri në Shqipëri nëpërmjet Reald Hysollit.

Për rastin e përpunimit të drogës në fshatin Rosuj të Pejës, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi një emision në korrik të vitit të kaluar.

Kokaina

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet nesër.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë në lidhje me këtë rast. Të gjitha raportet për këtë çështje mund t’i gjeni këtu.