Në Parlamentin Britanik diskutohet ideja e Thaçit për 'korrigjim' të kufijve

Në Parlamentin britanik sot është diskutuar për raportet Britani-Kosovë dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Ndër të tjera, në këtë seancë është diskutuar edhe rreth idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rreth asaj që ai e quan “korrigjim” i kufirit me Serbinë.

Sipas ministrit britanik për Europë dhe Amerikë, Alan Duncan, korrigjimi i kufijve rrezikon stabilitetin në Ballkan.

Duncan ka përshëndetur krijimin e Delegacionit shtetëror të Kosovës.

Siç bën të ditur Ambasada britanike, Duncan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndalin tensionet dhe të kthehen në negociata.

Ndërkaq, në lidhje me taksën e Kosovës ndaj Serbisë, ai theksoi se “me partnerët tanë ndërkombëtarë i kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës të përcaktojë hapat që synon të marrë për të pezulluar tarifën dhe për të mundësuar kthimin në dialog”.

Në anën tjetër, deputeti laburist, John Grogan, u shpreh i lumtur që ideja e presidenti nuk nënkupton ndarje të territorit, duke e quajtur qasje të gabuar korrigjimin.

“Unë kam qenë i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës ka thënë se këmbimet e territorit nuk do të ndodhin kurrë, por vitin e kaluar ai foli për korrigjimet kufitare me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Unë jam i kënaqur që presidenti ka ndryshuar qasjen”, tha ai, raportohet në faqen zyrtare të Parlamentit Britanik.

Gjithashtu sa i përket taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, deputeti tha se taksa duhet të hiqet dhe të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ai shtoi se vendet që tregtojnë me njëri-tjetrin kanë më shumë gjasa të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

“Ka ende tarifa të rënda ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky vendim u mor si përgjigje e ndërhyrjes së  Serbisë në përpjekjen e Kosovës për t’u pranuar në Interpol. Shpresoj që me kohë tarifa të hiqet, sepse marrëdhëniet ekonomike dhe kontaktet midis Serbisë dhe Kosovës janë shumë të rëndësishme për të nxitur normalizimin dhe një marrëveshje përfundimtare”, u shpreh deputeti laburist JOhn Grogan.