Parlamenti britanik - Foto: REL/Reuters

Ligjvënësit britanikë miratojnë marrëveshjen pas Brexitit me BE-në

Ligjvënësit britanikë kanë miratuar marrëveshjen tregtare pas Brexitit me Bashkimin Evropian. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se marrëveshja do të “hapë një kapitull të ri në historinë kombëtare”. Ligjëvënësit votuan pro marrëveshjes me 521 vota pro dhe 73 kundër. Dhoma e Lordëve pritet ta miratojë atë më vonë para se ajo të marrë Miratimin Mbretëror dhe të bëhet ligj britanik.

Miratimi i legjislativit vjen një ditë para se Mbretëria e Bashkuar të largohet nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor me BE-në.

Johnson tha se marrëveshja lejoi Britaninë të merrte “kontrollin e ligjeve dhe fatit kombëtar”, ndërsa theksoi gjithashtu se Londra synon të jetë “miku dhe aleati më i mirë i BE-së”.

Marrëveshja u arrit pas nëntë muajsh negociatash mes zyrtarëve britanikë dhe atyre të BE-së. Ajo rregullon një marrëdhënie të re të tregëtisë dhe biznesit midis Britanisë së Madhe dhe partnerit të saj më të madh tregtar – Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian do të ketë kohë deri në fund të shkurtit për ta ratifikuar atë.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL