Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Në Kuvendin e Kosovës sot do të dorëzohet peticioni për heqjen e homologimit të automjeteve

Peticioni me nënshkrimet e mijëra qytetarëve të Kosovës, i cili kërkon heqjen e homologimit të automjeteve do të dorëzohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit e peticionit kanë njoftuar se dorëzimi do të bëhet në ora 10:00.

Peticioni është nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët kërkojnë nga Kuvendi që Ligji për Automjete të ndryshohet dhe obligimi për homologim të hiqet në tërësi.

Mundësia e vazhdimit të kontratës për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”, e vetmja që merret me këtë punë, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte gjetur se disa nene të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore binin ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Çështja e monopolit për homologim ka ngjallur debat edhe te deputetët dhe ministri i Infrastrukturës.

Po ashtu, çështja kishte nxitur Bashkimin Europian të dërgojë ekspertë në Kosovë.

https://kallxo.com/komisioni-evropian-nderhyn-ne-monopolin-per-homologimin-te-automjeteve/

Çështja e trashjes së monopolit në homologim është trajtuar edhe nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

www.kallxo.com