Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Përplasen rreth homologimit Pal Lekaj dhe Hekuran Murati, ky i fundit premton heqje të homologimit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj dhe ministri i Financave Hekuran Murati janë përplasur me deklarata sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me monopolin në homologimin e veturave.

Fillimisht deputeti Lekaj ka kritikuar Qeverinë Kurti.

“Ajo që po e vërej te kjo qeveri është se na trajton thuajse ne jemi nxënës të shkollës fillore dhe ju na tregoni si refren se si duhet respektuar shteti. Më besoni, po ndihem shumë keq, thua se kjo botë ka lindur me ju, thua se kjo botë nuk funksionin pa Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Kurse, ministri Hekuran Murati tha se e kanë të nevojshme t’ia sqarojnë opozitë se si funksionin shteti.

“Ajo çka është irrituese ka të bëjë me faktin se ju z. Lekaj para disa jave, doli në lajme, që keni nënshkruar kundërligjshëm një marrëveshje për vazhdim të monopolit me kompaninë ‘Euro-lab’, megjithëse në Kuvend keni thënë që s’keni nënshkruar. Bile ka qenë edhe ministri Arben Abrashi asokohe që ka thënë se s’ka marrëveshje të tillë”, tha ai.

Murati i akuzoi se me këtë i kanë vendos haraç qytetarëve.

“Ju që bëni këto gjëra në dëm të kuletës së qytetarëve, për një moment ju paska rënë në mend që duhet me i falë qytetarët. Ju u keni vënë haraç qytetarëve, 100 euro për çdo veturë që e importojnë, apo jo? Ashtu është. Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje”, tha ministri.

Pas kësaj reagoi deputeti i AAK-së dhe ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj i cili i mohoi akuzat.

“Me debatu me ty, është humbje kohe. Te homologimi duhet me ditë kur ka filluar dhe çka është kryer në mandatin tim. Sa i përket homologimit, është ligji ai që e sanksionin. Nuk kam vepruar as më shumë as më pak se ligji. Pa ndryshim të ligjit, nuk mund të ndryshohet as udhëzimi administrativ. E keni pushtetin ju, urdhëroni bjereni dhe Kuvend dhe ndryshojeni. Ju kisha lut të mos merreni me thashetheme”, tha Lekaj.

Kurse ministri Murati tha se Qeveria do ta heqë homologimin, që është nismë e Grupit Parlamentar të LVV-së.

“Do ta heqim, jo ti se voton, s’e ke votuar herën e kaluar. Nuk janë thashetheme, është marrëveshja që e ke nënshkruar, s’po ta mveshi unë”, theksoi ai.

 

Humbje milionëshe për kompaninë e homologimit