Miratohet Projektligji që heq pagesën për homologimin e automjeteve

Në Kuvendin e Kosovës me 75 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi tha që Projektligji për automjete largon obligimin për homologim për mjetet rrugore të reja dhe të përdorura.

“Ky ligj do të heqë barrën e panevojshme për automjete nga qytetarët e Kosovës dhe si e tillë e largon obligimin për homologim për mjetet rrugore të reja dhe të përdorura dhe është në linjë me synimet e Bashkimit Evropian, më saktësisht me eliminimin e barrierave tregtare”, tha Pacolli-Dalipi.

Deputetja e LDK-së,Valentina Bunjaku-Rexhepi kërkoi që të largohet edhe monopoli në qendrat e kontrollimit teknik.

“Ju keni sjellë lLgjin për automjete dhe keni vënë në pah zhdukjen e monopolit. Ministre, pse nuk po e  largoni monopolin për qendrat e kontrollimeve teknike? Nuk është nevoja me sjellë projektligje vetëm për popullizëm por edhe për të mirën e qytetarëve. Edhe ky monopol duhet të largohet” tha Bunjaku-Rexhepi.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, po ashtu, e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut, heqjen e homologimit.