Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria thotë se i ka hapur rrugë heqjes së homologimit të veturave

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është marrë vendim që të përkrahet propozimi i deputetëve të Kuvendit, për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Automjete, që i hap rrugë heqjes së homologimit të veturave.

Në mbledhje kryeministri Albin Kurti tha se ministritë përkatëse të linjës e kanë përkrahur propozimin e Kuvendit, ndërsa nga aspekti i ndikimit buxhetor, nuk do të ketë kosto shtesë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se në këtë

mënyrë po bëhet hapi i radhës për heqjen e homologimit.

“Në këtë mënyrë, ne po e bëjmë hapin e duhur dhe hapin e radhës për të larguar homologimin si detyrim për veturat e importuara nga shtetet e BE apo ato të cilat kanë përshtatshmëri të ngjashme sikurse kemi ne në Kosovë, tash kjo çështje kalon në Kuvend”, tha Kryeziu në konferencë për media.