Gjykimi i Ramadan Mujës - Foto: KALLXO.com

Në fjalën përfundimtare, Ramadan Muja dhe të tjerët kërkojnë të lirohen nga akuza

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe të tjerëve të akuzuar për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, sot është dhënë fjala përfundimtare.

Së pari, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Fikrije Fejzullahu, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se nga tezat e akuzës është arritur të vërtetohet gjendja faktike si dhe nga dëgjimi i dëshmitarëve, mbrojtja e të pandehurve dhe administrimit të provave materiale është arritur të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë që të akuzuarit në fjalë e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Prokurorja Fejzullahu theksoi se me bindje të plotë, të qartë dhe bindëse është vërtetuar se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore me rastin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike në këtë komunë dhe se gjithë veprimet inkriminuese të të akuzuarve janë të ndërlidhura sepse të njëjtit kanë qenë zyrtarë të një institucioni.

Në fund të fjalës së saj, prokurorja shtoi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të paraqitur më parë nga prokurori i EULEX-it si dhe fjalës përfundimtare të paraqitur sot në këtë gjykim, duke i propozuar trupit gjykues që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Ndërsa mbrojtësi i Ramadan Mujës, avokati Ruzhdi Berisha, ndër të tjera gjatë fjalës së tij arsyetoi se pse në të gjitha pikat e akuzës që i ngarkohen të mbrojturit të tij nuk qëndrojnë elementet e veprës penale, duke theksuar mes tjerash se “objektivisht nuk qëndrojnë, nuk kanë mundur të kryhen këto vepra penale siç përshkruen në pikat e kësaj aktakuze”.

Avokati Berisha ndër të tjera shtoi se nuk qëndrojnë konstatimet e akuzës se veprimet e të mbrojturit të tij dhe të tjerëve të kenë pasur qëllim përfitimi duke shtuar mes tjerash se asnjë element i veprës penale nuk qëndron për asnjë pikë të aktakuzës.

I akuzuari Ramadan Muja në fjalën e tij përfundimtare shtoi se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtate të avokatit të tij, se nuk e ndien veten fajtor “sepse të gjitha ecajaket dhe veprimet sipas Prokurorisë nuk janë për mua”.

Muja ndër të tjera tha se “kam menduar dhe vazhdoj të mendoi se veprimet e mia nuk janë penale. por humane” duke arsyetuar faktin se sipas tij, në ato prona është ndërtuar një fabrikë ku janë punësuar shumë persona dhe është ndërtuar një shkollë ku mësojnë mbi 500 nxënës, të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pjetër Përgjokaj, avokat i të akuzuarit Minir Krasniqi, deklaroi se për të mbrojturin e tij nuk ka prova se ai ka kryer ndonjë veprim për akuzën që e ngarkon si drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit duke shtuar se të akuzuarit në fjalë duhet të lirohen me aktgjykim lirues.

I akuzuari Minir Krasniqi në fjalën e tij deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të avokatit të tij.

Ai tha se procesi gjyqësor ndaj tyre është mbajtur gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2007, “ku synimi ka qenë që ne me humb pushtetin lokal”.

Krasniqi më tutje dha vërejtje ndaj procesit gjyqësor të zhvilluar nga EULEX-i dhe deklaroi se “besoj që trupi gjykues tani vendor do të na shpallë të pafajshëm”. Ai në fund tha: “Konsideroj se jam i pafajshëm unë dhe të akuzuarit e tjerë”.

I akuzuari tjetër, Sadik Paçarizi deklaroi se qëndron pranë fjalës përfundimtare që e ka dhënë më herët dhe sqarimet që i ka dhënë gjatë këtij procesi gjyqësor. Ai më tutje duke arsyetuar pafajësinë e tij, i kërkoi trupit gjykues që ta lirojë nga akuza dhe të marrë aktgjykim lirues për të dhe të akuzuarit tjerë sepse e konsideron veten plotësisht të pafajshëm dhe se ky gjyq do ta vërtetojë pafajësinë e tij.

I akuzuari Abdullah Tejeci në fjalën e tij deklaroi se aspak nuk e ndien veten fajtor dhe se qëndron pranë deklaratave të mëparshme dhe të avokatit të tij, se në asnjë mënyrë e në asnjë formë nuk e ka ndaluar shkuarjen e ekspertëve në gjykatë, nuk ka nxjerrë as ndonjë vendim me shkrim e as me gojë e asnjë formë tjetër, gjë që është dëshmuar nga leximi i deklaratave të dëshmitarëve të mëparshëm.

“Si mund të akuzohem e të ndjehem fajtor kur s’kam bërë asnjë shkelje ligji dhe kërkoj të më shpallni të pafajshëm sepse në të vërtetë jam i pafajshëm”, tha në fund Tejeci.

Avokati Rexhep Hasani, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Ademaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së paraqitur ndaj vendimit të Gjykatës së Prizrenit, në fjalën hyrëse të paraqitur në këtë gjykim dhe përkrah fjalën e avokatit Ruzhdi Berisha lidhur me pikën dy të akuzës ku ngarkohet i mbrojturi i tij bashkë me Ramadan Mujën dhe Minir Krasniqin.

“Me asnjë provë nuk mund të vërtetohet se të pandehurit në fjalë kanë pasë marrëveshje paraprake që parcela kadastrale e quajtur në vendin “Boka Boka”, t’i ndahet Gylistanit’”, tha ai, duke lutur trupin gjykues që me rastin e vendosjes të marrë aktgjykim lirues.

Avni Ademaj deklaroi se “edhe në shqyrtimin e mbajtur në Prizren por dhe para këtij trupi gjykues është deklaruar me bindje “duke argumentuar ligjërisht se procedurat që i kam ndërmarrë gjatë punës sime janë të ligjshme dhe siç jam deklaru edhe në atë kohë por edhe tani se jam tërësisht i pafajshëm”. Avni Ademaj duke arsyetuar pafajësinë e tij ndër të tjera i propozoi trupit gjykues që me rastin e vendosjes ndaj tij të vendos për lirim nga akuza sepse nuk e ndien veten fajtor.

“Ju kisha lutë të vendosni në bazë ligjit dhe të drejtës”, tha në fund Ademaj.

Në fund trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, Zyhdi Haziri e Naser Maliqi anëtarë njoftuan se vendimi për këtë rast do të komunikohet më 19 dhjetor 2018.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimësi për këtë rast:

https://kallxo.com/neser-jepet-fjala-perfundimtare-ne-gjykimin-e-ramadan-mujes-dhe-te-tjereve/

www.kallxo.com