Ish-Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja | Foto: KALLXO.com

Apeli i vërteton dënimin Ramadan Mujës

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 1 viti burgim me kusht për  ish-kryetarin e Prizrenit Ramadan Mujës.

Ky vendim erdhi 323 ditë pasi vendimi ishte marrë nga Gjykata e Gjilanit në lidhje me veprën penale keqpërdorim të detyrës.

Dënimi është vërtetuar  edhe për  Avni Ademajn, Minir Krasniqin e Sadik Paçarizin.

Lëndën në Gjykatën e Apelit e kishin  dërguar sipas ankesës, përfaqësuesi ligjor i Komunës së Prizrenit dhe mbrojtësit e të akuzuarëve.

Apeli, kishte refuzuar ankesat e parashtruara si të pabazuara duke e vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Gjilanit.

Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmbante shkleje esenciale të dispozitave procedurale.

Tutje Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi i ankimuar ishte i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmbante arsyet për faktet vendimtare, nga të cilat qartë konkludohet se si të akuzuarit i kryen veprat penale, cilat veprime i ndërmorën ata për kryerjen e këtyre veprave.

Apeli vërtetoi aktgjykimin dënues të Gjykatës së Gjilanit pasi kishte gjetur se e njëjta jo vetëm që kishte vlerësuar faktet vendimtare por edhe i kishte  arsyetuar drejtë, në mënyrë të plotë dhe të qartë.

Bashkë me kreun e Prizrenit  u dënua edhe i akuzuari Minir Krasniqi  me 6 muaj burgim me kusht që brenda një viti mos të kryejë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që brenda 1 viti mos të kryej vepër të re penale.

Sadik Paqarizi u dënua me burgim prej 6 muajve me kusht që për një vit mos të kryej vepër të re penale.

Ndërsa ndaj Abdullah Tejecit është refuzuar akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Në akuzën e përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Fikrije Fejzulahu-Krasniqi thuhet se Ramadan Muja, akuzohej për katër pika të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Me të njëjtën akuzë, bashkë me kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen edhe katër zyrtarë të kësaj komune, Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj, Abdullah Tejeci, dhe Minir Krasniqi- drejtor i Drejtorisë së Administratës.

Avni Ademaj, Abdullah Tejeci në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj.

Sipas akuzës, pesë të akuzuarit me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës, pa përfillur procedurat ligjore.

Kjo sipas aktakuzës ka ndodhur gjatë një periudhe kohore prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kur zyrtarët komunalë në këtë periudhë kanë kryer edhe një vepër tjetër penale, duke penguar edhe ekspertët tjerë të gjeodezisë për të dëshmuar nëpër seancat gjyqësore të të dëmtuarve nga këto keqpërdorime me toka, në së paku shtatë raste.

Për rastin e pengimit të punës së gjykatës emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur një reportazh më 11 shtator 2011. Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzoheshin se kanën keqpërdorë detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200,000 euro.

Rasti ndaj Mujës dhe të tjerëve ishte vendosur më parë nga Gjykata e Prizrenit

Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale. Ndaj Kadri Ukimerit tani është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jo-kompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.