Të 'humbur' në eufori: Kosova merr më pak se ka pritur në nisje të rrugës drejt Europianit 2020

Një barazim nga i cili merr një pikë në tabelë, por që perceptohet si humbje në mendjet e gjithë atyre që e panë mbrëmë ndeshjen e parë kualifikuese të Kosovës kundër Bullgarisë, në nisje të hapave për kualifikimet për Kampionatin Europian që mbahet vitin e ardhshëm.

Mes euforisë që mori futbolli kosovar për shkak të ecurisë së mirë të ekipit kombëtar të Kosovës në Ligën e Kombeve dhe një ndeshjeje të mirë miqësore pesë ditë më parë kundër Danimarkës, ekzistonte një përshtypje që Bullgaria do të jetë “arrë e butë” për të përzgjedhurit e Bernard Challandes.

Por futbolli di të të japë edhe befasi.

Kosova ëndrrën europiane për ‘Euro 2020’ e nisi ndaj Bullgarisë, të hënën më 25 mars 2019.

“Dardanët” në këtë ndeshje arritën të barazonin me rezultatin 1-1, edhe pse posedimi i topit dhe rastet i përkisnin të veshurve me kaltër-e-verdh.

Por, në futboll ndonjëherë duhet të kesh fat, e kësaj radhe fati nuk ishte me djelmoshat kosovarë.

Këtë e konfirmoi edhe trajneri i Bullgarisë, pas ndeshjes duke thënë se ekipi i tij mbrëmë ishte me fat.

“Po mund të themi qe kemi pasur fat, ka qenë një ndeshje taktike mes dy trajnerëve. Po ishim me fat sonte”, ka deklaruar pas ndeshjes Petar Houbtchev.

Trajneri i Bullgarisë: Ishim me fat sonte

Ndërsa trajneri i Kosovës Berndard Challandes u shpreh se ishte i zhgënjyer me rezultatin, por ishte i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve.

Ai deklaroi se Kosovës mbrëmë i mungoi efikasiteti.

“Të kishim shënuar më herët, gjërat do të shkonin më mirë”, kishte thënë trajneri i Kosovës pas përfundimit të ndeshjes.

Trajneri i Kosovës: I zhgënjyer me rezultatin, i kënaqur me paraqitjen

KALLXO.com ka kontaktuar analistët dhe trajnerët e futbollit Gani Sejdiun dhe Ardian Llumnicën, për analizuar lojën e djeshme të Kosovës ndaj Bullgarisë.

Analisti dhe trajneri i futbollit, Gani Sejdiu ka thënë për KALLXO.com, se Kosova dje e meritoi fitoren, por në atë ndeshje triumfoi përvoja e Bullgarisë ndaj cilësisë së djelmoshave të Bernard Challandes.

“Kosova e meritoi fitoren, nuk diskutohet, por mbrëmë përvoja triumfoi ndaj cilësisë. Pavarësisht barazimit të pamerituar ne duhet të jemi krenar për përfaqësuesen tonë, sepse paramendoni kemi arritur në një moment kur kombëtaret e mëdha kënaqen me barazim kundër nesh”, ka thënë fillimisht Sejdiu.

Ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare, thekson se lojtarët e Kosovës në pjesën e parë patën nervozë në vete e cila ndikoi edhe në lojën e tyre, ndërsa të dytën e larguan nervozen dhe u paraqitën më mirë.

“Mendoj se pjesa e parë ishte me një dozë nervoze të theksuar gjë që në pjesën e dytë u përmirësuam shumë dhe ishim dominant në çdo aspekt. Na mungoi fati dhe përvoja në momentet finale për të dënuar kundërshtarin” tregon Gani Sejdiu për kallxo.com.

Sejdiu thotë se të gjithë duhet të jenë të kënaqur për çka po arrinë kjo kombëtare në këtë periudhë kaq të shpejtë.

“Se a gaboi selektori në përzgjedhje unë nuk e komentoj, por edhe Halimi dhe Paqarada në takim me Danimarkën ishin në nivel të lartë të detyrave. Mund të justifikohet edhe një dozë e vogël nervoze që tregoi gjendjen jo të mirë, ndoshta psikologjike të disa ndoshta prej dëshirës së madhe për fitore, por në përgjithësi duhet të jemi të kënaqur për nivelin e arritur të përfaqësueses tonë për një kohë të shkurtër”, potencon ai.

Ndërkaq, analisti sportiv Ardian Llumnica, thotë se Kosova mbrëmë bëri lojë të bukur e aksione të shpejta, por sipas tij nganjëherë, djelmoshat e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes, duhet ta sakrifikuar lojën e bukur për t’i marrë tri pikë, sepse tani në këtë fazë pikët janë që kanë rëndësi më shumë.

“Paraqitja e Kosovës ishte shumë e mirë, e krejt e mira e kësaj është se skuadra ishte atakuese ndaj kundërshtarit si dhe po bënte aksioni të shpeshta, krejt kjo falë lojtarëve që janë në formë të mirë. Por tashti jemi në eleminatore që na duhen pikë dhe nganjëherë duhet sakrifikuar bukurinë e futbollit për t’i marrë ato”, thotë fillimisht Llumnica për Kallxo.com.

Llumnica thotë se është ndjerë i habitur nga analizat të cilat e kanë parashikuar fitore të thellë të Kosovës, duke e neglizhuar kundërshtarin. Sipas tij në analiza të tillë duhet të jenë më të matur.

“Fillimisht kam qenë i habitur se si njerëzit analizojnë ndeshje eliminatore duke e nxitë edhe opinionin se do të fitojmë me rezultat 4-0 e gjëra të ngjashme dhe duke e neglizhuar kundërshtarin në atë masë, duhet të jemi më të matur në këto gjëra”, ka thënë Ardian Llumnica.

Sipas Lluminces, Kosova mbrëmë ka pasur probleme në katër pika të theksuara, me lojtarët Benjamin Kololli, Mërgim Vojvoda, të cilët nuk kanë qenë në element. Sipas tij edhe Celina nuk ishte në element, ndërsa mos konkretizimet e Rashicës mund të na kushtojnë të ardhmen.

“Kemi pasur problem në 4 pika të theksuara, të them të  drejtën dy mbrojtësit e krahut Kololli- Vojvoda, nuk kanë qene në element. Celina ishte një tjetër futbollit që nuk ishte në element. Ndërsa konkretizimi i Rashicës para portës ishte një tjetër element jo i këndshëm për ne, të ardhmen duhet t’i konkretizojmë rastet, sepse kombëtaret e mëdhaja dhe futbollistët e medhenjë me një gjysmë rast të mundin”, ka cekur ai.

Për Llumnicën Bullgaria luajti mirë taktikisht, dhe i kishte rastet e tyre të cilat kanë mundur të jenë fatale për Kombëtaren e Kosovës.

Ardian Llumnica

‘Dardanët’, ndeshjen e radhës do ta luajnë ndaj Malit të Zi me 7 qershor të këtij viti si mysafir.

Ndërsa ndeshjen tjetër me 10 qershor, pra tri ditë më vonë do ta luajnë si mysafirë ndaj Bullgarisë.

Kombëtarja e Kosovës tani i ka bërë plotë 12 ndeshje që nuk ka pësuar humbje.

Është Kombëtarja e parë për nga ndeshjet të pa mposhtura.

Më poshtë Kallxo.com, iu sjell kombëtaret të cilat janë të pamposhtura deri më tani.

Ndeshje të pamposhtur:

Kosova – 12

Afrika e Jugut – 11

Mali – 9

Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Portugali dhe Serbi – 8

Brazil, Angli, Marok, Nigeri dhe Katar – 7