Stadiumi "Fadil Vokrri" - Foto: KALLXO.com

Skandaloze: Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pa pranim teknik

Stadiumi i kryeqytetit që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ende nuk e ka të përfunduar çështjen e pranimit teknik edhe pse në të që nga mesi i vitit të kaluar janë luajtur pesë ndeshje ndërkombëtare.

Fillimisht, për t’i testuar investimet e rreth 10 milionë eurove nga Ministria e Sportit, më 13 gusht të vitit të kaluar u luajt ndeshja për Superkupën e Kosovës.

Ndërsa, ndeshja e parë ndërkombëtare e cila u zhvillua në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” më 10 shtator 2018 ishte ajo ndërmjet kombëtares së Kosovës dhe Ishujve Faroe, lojë e vlefshme për kualifikimin në Ligën e Kombeve.

Më pastaj, Kosova në stadiumin e Prishtinës zhvilloi edhe katër ndeshje të tjera ndërkombëtare. Me Maltën, me Azerbajxhanin, me Danimarkën dhe së fundmi me Bullgarinë.

Por, të gjitha këto ndeshje ndërkombëtare e të tjera vendore u luajtën në një stadium i cili ende nuk ka pranim teknik.

Këtë nuk e pranuar ende Komuna e Prishtinës, ndërsa Ministria e Sportit thotë se janë në përgatitje të dokumentacionit.

KALLXO.com raportoi ditë më parë për telashet në stadiumin “Fadil Vokrri” me barin e fushës.

Drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, tha për KALLXO.com se kjo Komunë ende nuk ka pranuar dokumentacionin për pranim teknik të stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Ata duhet me bë një pranim teknik me kompaninë ndërtuese. Pastaj me ato dokumente duhet me e bë një pranim teknik edhe nga Ministria e Planifikimit Hapësinor. Vetëm pasi të bëhen këto Komuna ka të drejtë ta marrë stadiumin në menaxhim sepse s’mundemi pa e pranu vetë Ministria që e ka ndërtu”, ka thënë Rexha.

Ai tha se janë në pritje të dokumenteve për pranimin teknik nga Ministria e Sportit.

Në anën tjetër, Iber Alaj, drejtor në Departamentin e Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka pranuar se ende nuk është bërë pranimi teknik i “Fadil Vokrrit”, por ka thënë se një gjë e tillë së shpejti pritet të ndodhë.

“Stadiumi është testuar që katër muaj thuajse dhe dokumentacioni është kompletuar nga MKRS dhe në bazë të kapacitetit e stadiumit që janë mbi 10 mijë shikues i nënshtrohet ligjit të planifikimit hapësinorë dhe certifikatën e përdorimit e lëshon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhënës i lejes së ndërtimit. Ne jemi në faqen përfundimtare të kompletimit të dokumentacionit teknik dhe besoj që pas pranimit të stadiumit në UEFA si kategori e katërt, është fazë teknike dhe procedurë e cila do të kryhet besoj brenda dy apo tri jave”, tha Alaj në një bisedë për KALLXO.com.

Drejtori i Departamentit për Sport në MKRS tha se për këto procedura është njoftuar edhe Komuna e Prishtinës. Ndërsa, tha se kjo Komunë nuk është e përgatitur që ta marrë nën menaxhim stadiumin e qytetit.

“Komuna e Prishtinës është e njoftuar se objekti është i pranuar dhe në funksion, por sigurisht ata nuk janë të përgatitur akoma si menaxhimet i Komunës së Prishtinës që të marrin përgjegjësinë mbi menaxhimin e stadiumit të Prishtinës, momentalisht është Federata duke e menaxhuar. Komuna duhet të përgatisë menaxhmentin, që përveç që e menaxhon edhe ta mirëmbajë”, vlerësoi tutje Alaj.

Ai tha se brenda tri jave do të kryhen edhe dokumentet që kompletojnë pranimin teknik nga dy ministritë, ajo e Sportit dhe ajo e Planifikimit Hapësinor.

“Pranimi teknik është bërë i përkohshëm nga ne mbikëqyrësit siç është e paraparë me ligj të ndërtimit së bashku me UEFA-n. Për momentin stadiumi nuk ka pranim teknik, por ka certifikatë të përdorimit. Dokumentet i kemi në përfundim në bashkëpunim me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor. Edhe dy deri në tri javë besojmë që ministria e kryen procedurën dhe e kompleton dokumentacionin”, deklaroi ai.