Foto: RTV 21

Pse Bien Flokët dhe Si T’i Mbrojmë Ato

Flokët, flokët, flokët, thuhet qe gjysma e bukurisë janë ato. Sa shumë shqetësohemi kur nuk na rrinë bukur apo kur fillojmë të kemi probleme me to, sikurse kur fillojnë të bien më shumë se normalisht, kur fillojnë dhe hollohen apo kur humbasin shkëlqimin e tyre.

Ka me dhjetëra e qindra produkte të cilat reklamohen për përkujdesjen ndaj tyre, a janë ato vallë vërtet të efektshme?

Kur flokët fillojnë të na bien më shumë se normalisht (më shumë se 100 fije në ditë) flokët fillojnë të na rrallohen e të humbasin vitalitetin e tyre, atëherë shkaqet më të shpeshta të kësaj rënie janë: Mungesat ushqimore që vijnë si rezultat i një mënyre ushqyerje jo të shëndetshme, mungesa e fibrave, vitaminave, mineraleve, që përgjithësisht gjenden në perimet dhe frutat, mbajtja e dietave të forta për periudha të gjata kohe.

Ka edhe shkaqe endokrinologjike të rënies së flokëve si hypo ose hyper tiroidizmi, dhe postpartum- rënia e flokëve (mbas lindjes së një fëmije, kjo sepse si rezultat i proceseve të shumta mitotike që ndodhin gjatë shtatzënisë flokët gjatë kësaj periudhe nuk bien, por pas lindjes të gjitha ato flokë që normalisht duhet të kishin rënë gjatë periudhës së shtatzënisë fillojnë e bien njëherësh rreth 3-4 muaj pas lindjes).

Rënien e flokëve e shkakton edhe stresi i madh psikik dhe ai fizik,  anemia (që vjen si rezultat i marrjes së pakët të hekurit apo humbjes së tij nga organizmi siç janë hemorragjitë e ndryshme), Infeksionet e përsëritura streptokoksike të fytit, hundës, veshëve, etj.

Vendet ku më shpesh vihet re rrallimi i flokëve janë në pjesën e sipërme të kokës dhe anash saj.

E mira është që, përpara se të shkojmë nëpër qendra estetike dhe të trajtojmë këto rënie, të kontaktojmë me mjekun dermatolog për të gjetur shkakun e kësaj rënie të cilat siç u përmendën më lart janë të shumta dhe pa mjekuar shkakun, ne nuk ndalojmë dot rënien e tyre, pavarësisht trajtimeve të jashtme që mund të bëhen për flokët si maska apo produkte të tjera kozmetike.

Trajtimi i flokëve bëhet i kombinuar me terapi orale (që lufton shkakun) dhe aplikimin e produkteve kozmetike për flokët.

Kujdes duhet treguar me aplikimin pa kriter të këtyre produkteve , larjet e shpeshta, përdorimi i procedurave kozmetike si tharjet e shpeshta me tharëse, aplikimi i produkteve për të shtrirë apo për t’i bërë kaçurrela, ekspozimi për periudha të gjata në diell e thajnë dhe e hollojnë flokun.

Gjithashtu mjaft e efektshme (gjithmonë pasi është gjetur shkaku i rënies) sot rezulton edhe aplikimi direkt në lëkurën e kokës i solucioneve multivitaminave nëpërmjet mesotherapise apo aplikimi i plazmës së koncetruar me faktorë rritje të marra nga gjaku i vetë pacientit (autohemoterapia autologe).

Dr.Ardiana Sinani /21Media