Janar-mars 2020 të hyrat ranë për 13%

Në raportin tremujor financiar janar-mars të sivjetëm, thuhet se gjithsej pranimet ishin në shumën prej 402.42 milionë euro dhe paraqesin 17 përqind të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ndërsa krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak kemi ulje prej 13 përqind.

Raporti thotë se të hyrat buxhetore, pa përfshirë pranimet e financimit si nga huamarrjet, ishin në vlerën e 397.26 milionë euro, me një rritje prej 2 përqind.

“Të hyrat buxhetore kanë arritur vlerën prej 397.26 milionë euro, duke shënuar rritje prej 2%, që korrespondon me 8.71 milionë euro më shumë, krahasuar me tremujorin e vitit paraprak. Kjo shumë e të hyrave përfaqëson 20% të planit vjetor të parashikuar, ndërsa rritja në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka ardhur kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore dhe jo tatimore”, thuhet në raport.

Ky trend i mirë i të hyrave tatimore dhe jo tatimore vlerësohet se vjen si rrjedhojë e performancës së sektorit privat, përmirësimit të vazhdueshëm te ambientit të të bërit biznes si dhe aktiviteteve shtesë nga agjencite mbledhëse të të hyrave.

Dogana, të hyra 7.24 milionë euro më shumë ndërsa ATK 0.74 milionë euro më pak

Raporti tremujor tregon se Dogana e Kosovës pati rritje të të hyrave për 3 përqind duke arritur ta realizoj 19 përqind të planit të saj.

“Të hyrat e mbledhura nga Dogana e Kosovës kanë arritur vlerën bruto prej 237.21 milionë euro, apo 19 % e planit buxhetor për vitin 2020, duke shënuar rritje prej 7.24 milionë, apo 3% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin tremujor.

Në anën tjetër, të hyrat e mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur vlerën bruto prej 118.46 milionë euro, apo 21 % e planit buxhetor për vitin 2020, duke shënuar ulje prej 0.74 milionë euro, apo 0.6% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërsa në raportin tremujor thuhet se të hyrat jo-tatimore kanë pasur realizim prej 44.81 milionë euro, apo ulje prej 2 përqind  krahasuar me vitin paraprak, si rezultat kryesisht i uljes së të hyrave jo-tatimore nga niveli qendror për rreth 3.14 milionë euro.

Më tej përmendet se pranimet nga huamarrja arritën vlerën prej 5.16 milionë euro përfshirë pranimet nga nënhuazimet. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak realizimi është më i ulët për 1.89 milionë euro, ndërsa huazimet e brendshme janë me të ulëta për 24.9 milionë euro gjatë periudhës raportuese, për shkak se vetëm janë rifinancuar letrat me vlere te skaduara dhe nuk ka pasur emetime te reja ne mungese te ligjit te buxhetit për vitin 2020. Gjithsej financimet janë më të ulëta për 71.09 milionë euro për shkak të mos pranimit të financimit të njëhershëm nga AKP-ja (siç ishte rasti me vitin 2019).