Nëse të gjithë do të udhëtonin me biçikletë, bota do ta zgjidhte lehtësisht problemin e gazrave serrë

Bota do të lëshonte rreth 700 milionë tonë më pak gazra serë çdo vit – më shumë se emetimet vjetore të Kanadasë – nëse të gjithë do të ngasin biçikleta, zbuloi një studim i ri javën e kaluar.

Sektori i transportit aktualisht është përgjegjës për pothuajse një të katërtën e emetimeve të gazeve serrë nga djegia e karburantit, shkruan agjencia France Presse.

Gjysma e këtyre emetimeve vijnë nga veturat dhe kërkesa për transport pritet të trefishohet nga mesi i shekullit.

Në një përpjekje për ta dekarbonizuar transportin, qeveritë dhe industria janë kthyer te automjetet elektrike. Vetëm vitin e kaluar janë shitur 6.7 milionë.

Numri i automjeteve të shitura monitorohet dhe publikohet çdo vit. Është më e vështirë të monitorohet prodhimi dhe shitja e një automjeti shumë më të vjetër me emetim të ulët të gazrave të dëmshëm – biçikletave.

Një grup ndërkombëtar studiuesish ka përpiluar tani bazën e parë të të dhënave të pronësisë dhe përdorimit të biçikletave sipas vendit, duke e përdorur modelimin statistikor për t’i plotësuar boshllëqet e informacionit.

Rezulton se mes viteve 1962 dhe 2015, prodhimi i biçikletave ka kaluar prodhimin e automjeteve. Më shumë se dy të tretat e 123 milionë biçikletave të prodhuara në vitin 2015 i referohen Kinës.

Në revistën Communications Earth and Environment, shkencëtarët kanë treguar se pronësia e biçikletave është përgjithësisht më e lartë në vendet më të pasura – por automjetet gjithashtu përdoren më shumë atje.

Kjo tregon se një numër i madh biçikletash nuk do të thotë domosdoshmërisht një përdorim i madh i atij mjeti me dy rrota.

Ndër 60 vendet e përfshira në hulumtim, biçikletat përdoren për udhëtime vetëm në 5 për qind të rasteve. Disa vendeve thjesht i mungojnë biçikletat dhe në disa të tjera, ku ka shumë, ato përdoren për rekreacion dhe më pak si mjet transporti.

Danezët dhe holandezët

Nëse të gjithë do të udhëtonin në punë si danezët, të cilët udhëtojnë me biçikletë mesatarisht 1.6 kilometra në ditë, bota mund të emetonte rreth 414 milionë tonë dioksid karboni më pak çdo vit, kanë llogaritur shkencëtarët. Kjo korrespondon me emetimet vjetore të Mbretërisë së Bashkuar.

Nëse të gjithë do të ngasnin biçikleta sa holandezët, të cilët përshkojnë 2.6 kilometra në ditë, bota do të ‘kursonte’ 686 milionë tonë.

Një politikë mbarëbotërore pro çiklizmit dhe zhvillimi i infrastrukturës do të mundësonte një kalim në mënyrën holandeze dhe daneze dhe do të çonte në përfitime të rëndësishme, ende të pashfrytëzuara për klimën dhe shëndetin, shkruan autorët.

Ata besojnë se ky përfitim i dyfishtë kërkon mbledhje më të mirë të të dhënave për biçikletat dhe se ekziston një “nevojë urgjente për ta promovuar përdorimin e qëndrueshëm të biçikletave përmes mbështetjes së politikave, planifikimit dhe zhvillimit të infrastrukturës”.

Autori kryesor i studimit, Gang Liu, profesor në Departamentin e Teknologjisë së Gjelbër në Universitetin e Danimarkës Jugore, tha se hulumtimi ka treguar se biçikletat kanë një rol të rëndësishëm për ta luajtur në reduktimin e gjurmës së karbonit të trafikut global në të ardhmen.

Liu thekson se jo vetëm progresi teknologjik është i nevojshëm për ndryshimet në trafik.

Nevojiten gjithashtu strategji për ndryshimin e kërkesës, të tilla si modelet alternative të lëvizshmërisë – transporti i përbashkët, transporti sipas kërkesës dhe ndarja e udhëtimit – si dhe zëvendësimi i automjetit në distanca të shkurtra me çiklizëm./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala