Foto: MKRS

MKRS-ja subvencionon 18 federata të sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se në kuadër të mbështetjes financiare për federatat e sportit ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi edhe me 18 federata tjera sportive.

Ky memorandum sipas MKRS-së arrin shifrën mbi një milion euro.

Konkretisht, sipas memorandumeve të nënshkruara, Federata e Atletikës mbështetet me 101.465 euro, Federata e Autosporteve me 37.812 euro, Federata e Karatesë me 172 mijë euro, Federata e Boullingut 42.048 euro, Federata e Aeronautikës me 37.128 euro, Federata e Mundjes me 57.468 euro, Federata e Bodibildingut dhe Fitnesit me 46.692 euro, Federata e Peshëngritjes me 43.644 euro, Federata e Shigjetarisë me 49.032 euro, Federata e Taekwondos me 53.112 euro, Federata e Bjeshkatarisë Alpiniste me 19.688 euro, Federata e Gjimnastikës me 52.428 euro, Federata e Punëtorëve Sportivë 16.704 euro, Federata e Shenjëtarisë me 49.116 euro, Federata e Tenisit me 59.484 euro, Federata e Boksit me 55.716 euro, Federata e Notit me 86.537 euro, dhe Federata e Sporteve Universitare me 22.856 euro.

Ministri Kujtim Gashi ka thënë se me këto memorandume krijohen lehtësira për federatat në mënyrë që ato të funksionojnë me efikasitet sa më të plotë dhe të pavarura.

“Me këto memorandume krijohen lehtësira për federatat në mënyrë që ato të funksionojnë me efikasitet sa më të plotë, të pavarura dhe të realizojnë aktivitetet e planifikuara në funksion të avancimit të mëtejmë të sportit të Kosovës”, u shpreh ministri Gashi.

Në anën tjetër, drejtuesit e këtyre federatave, falënderuan ministrin për pritjen dhe përkrahjen që po i ofron sportit dhe sportistëve të vendit.

Ata u shprehën të kënaqur me mbështetjen që MKRS-ja u ofron atyre, sidomos me memorandumet, me çka ndihmohet shumë veprimtaria e federatave në realizimin e planprogrameve të tyre për avancim të sportit.