Vazhdojnë Subvencionet nga MKRS-ja

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë nga buxheti i saj 799 mijë euro, shumë kjo e dedikuar për subvencionimin e Federatave të Shenjëtarisë, Hendbollit, Volejbollit dhe Basketbollit.

Sipas memorandumeve të bashkëpunimit, MKRS- ja do ta ndihmojë Federatën e Shenjëtarisë me 78 mijë euro, të Hendbollit me 295 mijë, Volejbollit me 146 mijë dhe atë të Basketbollit me 280 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Kujtim Shala ka thënë se Ministria të cilën ai e drejton po e ndihmon sportin e Kosovës që të avancohet qoftë me infrastrukturë, me legjislacion modern apo me subvencionime.

“MKRS-ja nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit që po nënshkruan me federatat e sportit të Kosovës, po krijon lehtësira për pavarësimin financiar të tyre, si dhe po synon t’i ndihmojë ato që të mund të funksionojnë në mënyrë sa më të pavarur dhe me efikasitet, në funksion të ngritjes cilësore të sportit të Kosovës”, njofton Ministria nëpërmjet një komunikate.

Më 10 mars, MKRS ka ndarë 649 mijë euro subvencione për Federatat e Karatesë, të Skijimit, Mundjes, Çiklizmit, Notit, Kick-box-it, Tenisit dhe për Federatën e Sportit Shkollor.

http://kallxo.com/649-mije-euro-per-federatat-e-kosoves/

Kurse më 8 mars, kjo Ministri ka ndarë 280 mijë euro për Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast kishte theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së sivjetshme në Lojërat Olimpike, të cilat do të mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit.