Koulibaly pas fyerjeve raciste: Jam krenar me ngjyrën e lëkurës

Ndeshja e mbrëmshme ndërmjet Interit dhe Napolit, e fituar nga vendasit, kaloi me shumë episode.

Në minutën e 81’ mbrojtësi i Napolit Kalidou Koulibaly u ndëshkua karton të kuq.

Fillimisht Kulibaly u ndëshkua me karton të verdhë pas ndërhyrjes ndaj Politanos, por pasi duartrokiti, gjyqtari i ndeshjes Mazzoleni e pa si provokim dhe e ndëshkoi me karton të kuq.

Por, pas ndeshjes mediat italiane zbuluan se Koulibaly i duartrokiti tifozëve të Interit që e fyen me kore raciste gjatë tërë kohës mbrojtësin napolitan.

Koulibaly pas ndeshjes reagoi duke shkruar se i vjen keq që i la në fushë shokët e skuadrës, por gjithashtu është krenar për ngjyrën e lëkurës që e ka.

“Më vjen keq për humbjen dhe mbi të gjitha, që i braktisa vëllezërit e mi, por jam krenar për ngjyrën e lëkurës sime: si francez, senegalez, napolitan: njeri”, ka shkruar Koulibaly.

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes zbuloi se kishte kërkuar tri herë pezullimin e lojës për koret raciste, por kurrë nuk u mor parasysh, duke specifikuar gjithashtu mungesën e qetësisë së lojtarit.