Historiku i 4 korrikut, lindja e pavarësisë amerikane

E katërta e korrikut, e njohur gjithashtu si Dita e Pavarësisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë një festë federale që nga viti 1941, por tradita e festimeve për këtë ditë daton qysh në shekullin e 18-të.

Me 2 korrik, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë dhe dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë miratuan Deklaratën e Pavarësisë, një dokument historik i hartuar nga Thomas Jefferson.

Nga viti 1776 deri në ditët e sotme, 4 korriku është shënuar si lindja e pavarësisë amerikane.

Kur filluan betejat fillestare në Luftën Revolucionare në prill të 1775, pak kolonistë dëshironin pavarsinë e plotë nga Britania e Madhe, ndërsa ata që e bënë u konsideruan radikalë.

Megjithatë, deri në mesin e vitit 1776, shumë kolonistë kishin ardhur për të favorizuar pavarsinë, falë armiqësisë në rritje kundër Britanisë dhe përhapjes së ‘ndjenjave revolucionare’, siç janë ato të shprehura në pamfletin e shquar “Common Sense”, botuar nga Thomas Paine në fillim të vitit 1776.

Më 7 qershor të atij viti, kur Kongresi Kontinental u takua në Shtëpinë e Pensilvanisë (që më vonë do të quhet Salla e Pavarësisë), në Filadelfia, delegati nga Virxhinia, Richard Henry Lee, paraqiti një rezolutë që bënte thirrje për pavarësinë e kolonive.

Në mes të debatit të nxehtë, Kongresi shtyu votën mbi rezolutën e Lee, por caktoi një komision prej 5 personave, përfshirë Thomas Jefferson nga Virxhinia, John Adams nga Massachusetts, Roger Sherman nga Connecticut, Benjamin Franklin nga Pensilvania dhe Robert Livingston nga Neë York, të cilët kishin për detyrë të hartojnë një deklaratë zyrtare, për ndarjen nga Britania e Madhe.

Më 2 korrik, Kongresi Kontinental votoi në favor të rezolutës së Lee, për pavarësinë, në një votim të njëzëshëm.

Më 4 korrik, Kongresi zyrtarisht miraton Deklaratën e Pavarësisë, e cila ishte shkruar kryesisht nga Thomas Jefferson. Megjithatë, vota për pavarsinë u zhvillua me 2 korrik, që nga ajo ditë 4 korriku u bë ditë që u festua lindja e pavarësisë amerikane.

Tradita e festës patriotike të pavarësisë, u bë edhe më e përhapur pas luftës së vitit 1812, në të cilën Shtetet e Bashkuara përsëri u përballën me Britaninë e Madhe. Në vitin 1870, Kongresi i ShBA bëri festë federale 4 korrikun, ndërsa më 1941, dipsozita u zgjerua, për tu bërë festë e paguar për të gjithë punonjësit federalë.

Një kuriozitet mjaft interesant është që 3 presidentë të ShBA-ve kanë vdekur dhe një ka lindur, në datën 4 korrik.

Thomas Jefferson dhe John Adams, të dy vdiqën në të njejtën ditë, me 4 korrik 1826. Gjithashtu edhe James Monroe, presidenti i pestë i vendit, vdiq më 4 korrik 1831.

Ndërsa presidenti i 30-të i ShBA-ve, Calvin Coolidge, lindi më 4 korrik 1872.

Gjatë viteve, rëndësia politike e festës do të binte, por Dita e Pavarësisë mbeti një festë e rëndësishme kombëtare dhe një simbol i patriotizmit, ku çdo vit kujtohen “Etërit Themelues” të shtetit amerikan.