Çfarë duhet të dini për festimet e 4 Korrikut në Shtetet e Bashkuara?

Festa e 4 korrikut ka në bazë të saj ushqimet dhe kulturën amerikane: paradat, gatimet në ambjent të hapur shoqëruar me birrë të ftohtë, dhe sigurisht, fishekzjarret.

Përdorimi i këtyre mjeteve pirotenike e kanë bërë të rrezikshme këtë ditë pushimi, zakonisht më shumë se 10 mijë persona paraqiten në urgjencë për të marrë trajtim mjekësor. Megjithatë, fishekzjarret vazhdojnë të mbeten në thelb të Ditës së Pavarësisë, një ditë që festohet prej 247 vjetësh.

Më poshtë lexoni 5 gjëra që duhet t’i dini për 4 korrikun, përfshirë origjinën e kësaj dite pushimi, si edhe se si fishekzjarret u bënë pjesë e traditës festive.

Cila është origjina e Ditës së Pavarësisë?

Dita e Pavarësisë përkujton 4 korrikun e vitit 1776, kur Kongresi Kontinental miratoi bashkarisht Deklaratën e Pavarësisë, një dokument përmes së cilit kolonitë amerikane njoftuan shkëputjen nga Britania e Madhe.

Një vit më vonë, sipas Bibliotekës së Kongresit, në Filadelfia pati festime spontane për të shënuar përvjetorinë e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Por në kombin në zhvillim, festimet nuk u bënë të zakonta deri pas luftës së vitit 1812. Biblioteka e Kongresit vë në dukje se ceremonitë përuruese për veprat kryesore historike në shekullin e 19-të, si kanali Erie në Nju Jork dhe hekurudhat në Baltimore dhe Ohajo, ishi planifikuar të përkonin me veprimtaritë festive të 4 korrikut.

Si u kthye në traditë shpërthimi i fishekzjarrëve në 4 korrik?

Shpërthimi i fishekzjarreve ka qenë pjesë e festimeve të Ditës së Pavarësisë që në krye të herës.

John Adams, një prej etërve që themeluan Amerikën, e kishte të qartë se çfarë domethënie do të kishte kjo festë.

Përkujtimi i pavarësisë së Amerikës “duhet të kremtohet plot madhështi, me parada, shfaqje, lojëra, sporte, kambana, zjarre, dhe ndriçime nga njëri skaj i kontinentit tek tjetri, tani dhe përgjithmonë”, shkruante ai në një letër drejtuar bashkëshortes, Abigail në 3 korrik të vitit 1776.

A i ka refuzuar ndonjë president festimet?

Nga presidenti George Washington deri te Joe Biden, e kanë festuar lindjen e kombit më 4 korrik, me një përjashtim: Adams.

Sipas një letre drejtuar bashkëshortes së tij, Presidenti Adams refuzoi të festonte festën më 4 korrik, sepse mendonte se 2 korriku ishte dita e vërtetë e Pavarësisë. Pse? Sepse Kongresi Kontinental votoi në favor të rezolutës për pavarësinë më 2 korrik 1776, megjithëse Deklarata e Pavarësisë u miratua zyrtarisht vetëm dy ditë më vonë.

Ai ishte aq i vendosur sa refuzoi ftesat për festivale dhe ngjarje të tjera, edhe kur shërbeu si presidenti i dytë i vendit. Ironikisht, Presidentët Adams dhe Thomas Jefferson, autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, vdiqën të dy në 50 vjetorin e miratimit zyrtar të dokumentit, 4 korrik 1826.

Sa të përhapura janë fishekzjarrët?

Shitjet e fishekzjarreve janë rritur me shpejtësi gjatë dy dekadave të fundit.

Statistikat e Shoqatës Amerikane të Piroteknikës tregojnë se në vitin 2000, konsumatorët amerikanë shpenzuan 407 milionë dollarë për fishekzjarre.

Deri në vitin 2022, kjo shifër u rrit në 2.3 miliardë dollarë. Kërcimi më i madh erdhi gjatë pandemisë COVID-19, kur shfaqjet me fishekzjarre u ndërprenë. Shitjet e fishekzjarrëve kapërcyen nga 1 miliard dollarë në 2019 në 1.9 miliardë dollarë në 2020.

Sipas Shoqatës, shitjet pritet të rriten edhe me 100 milionë dollarë të tjera këtë vit, kjo ndihmuar dhe nga fakti se 4 korriku qëllon të jetë ditë të martë duke u dhënë mundësi amerikanëve të shijojnë një fundjavë të gjatë katër-ditore.

A janë të rrezikshme fishekzjarret?

Pavarësisht përpjekjeve për edukim mbi rrezikun e fishekzjarreve, çdo vit prej tyre lëndohen rëndë mijëra amerikanë.

Komisioni Amerikan për Sigurinë e Produkteve të Konsumatorit raporton se në vitin 2022, 10 mijë e 200 njerëz morën trajtim mjekësor në dhomat e urgjencës dhe 11 persona humbën jetën për shkak të plagëve nga fishekzjarret.

Rreth tre të katërtat e lëndimeve kanë ndodhur rreth datës 4 korrik./VOA