FOTO: Prishtina shkruan historinë, kualifikohet për fazën e play-offit të FIBA Europe Cup

Klubi i basketbollit Prishtina ka arritur të shënojë një fitore historike, në një ndeshje dramatike, ndaj skuadrës turke Pinar Karsiyaka.

Klubi nga kryeqyteti fitoi me 4 pikë epërsi, me rezultat 82-78.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për fazën e grupeve të raundit të dytë, që ia mundësoi Prishtinës vendin e tretë në Grupin I, duke e dërguar në fazën e play-offit.

Ndeshjet e play-offit zhvillohen mes dy vendeve të para të grupeve të FIBA Europe Cup, kurse tetë klube tjera vijnë nga Champions League.

Ndeshjen më mirë e nisën turqit duke e fituar çerekun e parë me rezultat 26-16, pra me 10 pikë epërsi.

Në çerekun e dytë Prishtina u këndell dhe arriti ta barazojë rezultatin për një moment në 39-39, por ishin sekondat e fundit të pjesës së parë që ia dhanë epërsinë prej 3 pikëve mysafirëve pas një shënimi prej tre pikë.

Pjesa e dytë apo çereku i tretë e pati një ritëm të barabartë te të dy skuadrat, pasi gjithmonë asnjëra skuadër nuk shkëputej me pikë, më shumë se tjetra. E më së miri e tregon edhe rezultati i cili ishte 60-59 në të mirë të turqve.

Çereku i fundit ishte vendimtar për Prishtinën, ku arritën të rikthejnë gjithçka dhe ta fitojnë ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 82-78.

Lojtari më i mirë te Prishtina ishte Khalid Boukichou me 16 pikë. Ndërsa tek Pinar Karsiyaka Akif Egemen Guven.