Drejtuesit e Gjilanit kanë vetëm një synim - ta mposhtin rivalin Dritën (Foto)

Xhiroja e 18-të në Superligën e Kosovës do ta hapë sezonin pranveror në futbollin kosovar.

Kjo xhiro do të sjellë njër nga derbit më të zjarrtë në Ballkan, atë ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.

E shtuna në qytetin e Gjilanit do të jetë e rezervuar për këtë derbi.

Përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve në sezonin vjeshtor e kishte fituar Gjilani me rezultat 1-0, me golin e Perezit.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerin e Gjilanit Sadat Pajazitin dhe kapitenin Ylber Kastrati.

I pari i Gjilanit thotë se është kënaqësi të jesh pjesë e këtij derbi, por të njëjtën kohë edhe përgjegjësi pasi ‘Skifterët’ dhe gjithë tifozët e kësaj skuadre presin fitore.

“Ky është derbi më i madh në rajon dhe është kënaqësi të jesh pjesë e këtij derbi. Mirëpo është përgjegjësi shumë e madhe, sepse ‘Skifterët’ dhe gjithë tifozët e Gjilanit presin vetëm fitore në këtë derbi”, thotë Pajaziti për KALLXO.com.

Për Pajazitin, skuadra e tij për këtë ndeshje është e përgatitur deri në maksimum dhe shpreson që ta fitojnë këtë ndeshje në mënyrë që të dalin me kokën lartë nga fusha dhe t’i gëzojnë tifozët e saj.

“Jemi përgatitur në maksimum për këtë ndeshje, sepse rastisi të jetë ndeshja e parë e stinorit vjeshtor, ishte padyshim motiv shtesë që të përgatitem edhe për kampionatin në vazhdim. Në këto ndeshje shpresoj të dalim me kokën lartë dhe t’i gëzojmë tifozët dhe të vazhdojmë kampionatin me këmbë të mbarë edhe pse në këto ndeshje nuk i dihet, sepse derbi shpesh vendoset nga një rast apo nga një gabim i vogël”, potencon ai.

Sadat Pajaziti, trajner i Gjilanit

Ndërsa, kapiteni i Gjilanit Ylber Kastrati, thotë se është fat për sportin kosovar që e ka derbin ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.

“Të dielën luhet derbi i Kosovës dhe i ligës. Është vërtetë fat për sportin, në veçanti për futbollin kosovar që e kemi këtë derbi, pikërisht me këtë lojë po hapet sezoni, është reklama më e mirë për futbollin kosovar”, thotë Kastrati për KALLXO.com.

Lideri i Gjilanit thotë se ai me skuadrën e tij nuk kanë tjetër synim pos fitores të dielën dhe pastaj të festojnë.

“Synimet e caktojnë rëndësinë e një ndeshje. Mirëpo në këtë ndeshje nuk ka synime përveç se të mposhtet rivali lokal dhe të festohet. Me fjalë të tjera synimi më i madh në derbi mbetet festa e derbit pas lojës e jo synime tjera”, shprehet i bindur në fitore Ylberi.

Sipas tij, ekipi i Sedat Pajazitit është i përgatitur maksimalisht në të gjitha aspektet dhe se janë përmirësuar. Kapiteni gjilanas thotë se të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe e kuptojnë rëndësinë e këtij derbi.

“Jemi të përgatitur maksimalisht në të gjitha aspektet, ekipin e shoh shumë të përmirësuar. Ekipin e shohë shumë të motivuar për këtë ndeshje, çdo lojtar sikur ata që e kanë shijuar derbin, por edhe ata që do ta shijojnë për herë të parë, e kuptojnë rëndësinë e fillimit të kampionatit, e sidomos kur bëhet fjalë për derbin më të madh në vend që jep motiv shtesë”, ka shtuar ai.

Kapiteni i Gjilanit nuk i harron mbështetësit e tyre, tifozët “Skifeterët”, sipas tij motivohen më shumë kur e kanë mbështetjen e madhe të tyre.

“Është sportive të luftohet për të fituar. Ne do të futemi në lojë të luftojmë shumë fort për çdo sekondë dhe çdo pjesë të fushës. Loja bëhet më e ëmbël dhe motivuese kur ke një ushtri të madhe që të mbështesin siç janë “Skifterët”, përfundon qendërmbrojtësi dhe kapiteni i klubit të Gjilanit.

Ylber Kastrati, kapiten i Gjilanit