Challandes: Nuk e kemi lehtë, por ne jemi Kosova (VIDEO)
Në tërheqjen e shortit për “EURO 2020”, e cila është bërë sot në Dublin të Irlandës, kanë qëndruar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri i kombëtares, Bernard Challandes.
Kosova do të jetë pjesë e Grupit A, ku do të përballet me Anglinë, Republikën Çeke, Malin e Zi dhe Bullgarinë.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes përmes një video e ka komentuar shortin e sotëm.
Challandes ka thënë se nuk është grup i lehtë, por Kosova është Kosovë. Sipas tij Kosova mund të rivalizohet me skuadrat tjera, përjashto Anglinë.
“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova”, tha ai.
“Nuk mund të mendojmë se është grup i lehtë. Anglia është skuadër e fortë dhe këtë e dimë, mirëpo me skuadrat e tjera mund të rivalizojmë. Këto ndeshje do të na shërbejnë për ndeshjen me Maqedoninë”, ka deklaruar trajneri i Kombëtares së Kosovës.
Ndërsa kryetari i FFK-së Agim Ademi ka thënë se ky grup i konvenon Kosovës, e cila mund t’ia dalë të kualifikohet për EURO 2020.
“Grupi është interesant, por unë i besoj grupit tonë, ekipit tonë domethënë e cila mund t’ia dalë në këtë grup. Besoj në kualitetin dhe përkushtimin e tyre, në punën e trajnerëve. Mendoj që do t’ia dalim këtij grupi edhe pse asnjë ndeshje nuk është e lehtë, por Kosova është në trendin e fitoreve, është në trendin e rritjes dhe ngritjes së saj dhe faktikisht dhe unë e shoh si grup i cili na konvenon”, ka thënë Agim Ademi.