Analistët: Në luftë për titullin e Superligës Feronikeli e Prishtina

Analistët sportivë vlerësojnë se për titullin e Ipko Superligës së Kosovës në futboll prentendentë kryesorë janë Feronikeli dhe Prishtina, të cilat klube aktualisht gjenden në krye të tabelës.

Ndërkohë që ka përfunduar xhiro e 14-të, dy klubet kanë një ndeshje më pak të zhvilluar – atë ndërmjet vete.

Ndeshja Feronikeli-Prishtina luhet të mërkurën në ora 13:30 në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.

Aktualisht, Feronikeli prin në tabelë me 32 pikë, i ndjekur nga Prishtina me dy pikë më pak.

Lidhur me gjendjen aktuale në Superligë dhe se kush është pretendent për ta fituar titullin për këtë edicion, KALLXO.com ka biseduar me gazetarin sportiv Xhavit Kajtazi dhe ish-trajnerin dhe njohësin e futbollit Ajet Shoshollin.

Gazetari sportiv Xhavit Kajtazi thotë që e mërkura do të jetë festë për futbollit kosovar sepse, sipas tij, takohen dy skuadrat më cilësore të Superligës.

Kajtazi thotë se kjo ndeshje ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës do të jetë pasqyra më e mirë e nivelit të futbollit kosovar.

“Të mërkurën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” do të kemi festë të futbollit të Kosovës. Takohen Feronikeli – Prishtina, dy skuadrat më cilësore të Superligës. Adhuruesit me të drejtë presin një shfaqje cilësore, ndërkohë që në këtë tempull do të dëshmohet niveli teknik i të dy skuadrave, secila me histori të veçantë rezultatesh. Pikërisht kjo ndeshje pritet të jetë pasqyra më e mirë e nivelit që ka futbolli i Kosovës, i cili, nga edicioni në edicion po e rrit rendimentin e cilësisë”, tha Xhavit Kajtazi për KALLXO.com.

Kajtazi si përcjellës seriozë të Feronikelit e Prishtinës i sheh Dritën, Llapin dhe Gjilanin.

“Përkrah tyre janë edhe Drita, Llapi dhe Gjilani, që po ashtu kanë lënë përshtypje të mirë, pa marrë parasysh se gjatë kësaj periudhe kanë kaluar një udhë të vështirë në kërkim të konsolidimit të skuadrës, që për pasojë kishin edhe ndërrimet e trajnerëve”,  thotë ai.

Kajtazi thotë se është i befasuar për të mirë nga Flamurtari, pasi sipas tij edhe pse klubi ka pasur probleme financiare, prapë se prapë ka bërë paraqitje të mira.

“Flamurtari i Prishtinës për mua është befasia më e këndshme e kampionatit. Paraqitjet e deritashme të kësaj skuadre modeste për nga fondi i futbollistëve dhe gjendja financiare, kanë lënë të kuptohet se nganjëherë skuadra duhet ta tejkalojë vetveten, gjë që i ka ndodhur pikërisht skuadrës kuqezi nga Prishtina”, ka thënë ai.

Xhavit Kajtazi ka folur edhe për skuadrat të cilat kanë probleme me rezultatin dhe rrezikojnë të bien një ligë më poshtë.

Sipas Kajtazit, Liria e Prizrenit me shumë telashe po përpiqet t’i konsolidojë radhët, por si duket do të ketë shumë vështirësi për të qëndruar në mesin e renditjes, sepse ka shumë probleme sa i përket fondit të futbollistëve, por edhe gjetjes së një trajneri që do ta shpëtonte nga kjo krizë.

“Drenica, e cila sipas mendimit tim po luan futbollin më të bukur, qëndron me meritë në krye të grupit të skuadrave që synojnë mesin e artë së bashku me Trepçën ’89, të cilën e ka kapluar kriza e rezultateve, që e detyroi trajnerin Gugash Magani të jepte dorëheqje. Lufta për mbijetesë sigurisht do jetë e rreptë. Në këtë grup skuadrash janë Ballkani, Ferizaj dhe KEK-u”, tha gazetari sportiv.

Gazetari sportiv, Xhavit KajtaziNdërsa ish-trajneri dhe njohësi i futbollit, Ajet Shosholli, e ka ndarë ecurinë e kampionatit në këto 14 xhiro në tri nivele.

Në nivelin e parë, sipas tij, janë klubet që janë pretendente për titull. Në të dytin, skuadrat e mesme, ndërsa në të tretin ato kah fundi i tabelës.

“Niveli i parë janë Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, ku dallimi mes të parit dhe të dytit është dy pikë dhe gjashtë pikë mes të parit dhe të tretit. Këto tri ekipe kanë gjasa reale të luftojnë për më të mirin e kampionatit. Në nivelin e dytë janë Drita, Flamurtari dhe Gjilani. Në të tretin janë Drenica, Ballkani, Trepça, Liria dhe Ferizaj. Më i rrezikuari është KEK-u e që mendoj që nuk ka asnjë shans teorike që të mbetet në elitë”, ka thënë Ajet Shosholli për Kallxo.com.

Tutje Shosholli ka thënë se skuadrat të cilat do të garojnë për vendin e parë janë: Prishtina, Feronikeli dhe Llapi. Ndërsa për Dritën ka thënë se do ta ketë të vështirë të kyçet për këtë garë.

Ajet Shosholli

www.kallxo.com