Filarmonia e Kosoves - KALLXO

Ambienti i 'çakorduar' i kushteve të punës në Filharmoninë e Kosovës - VIDEO

 

Fillim viti 2019 e gjen Filarmoninë e Kosovës në një objekt të stërvjetëruar, i cili më së paku ofron kushte për funksionimin e një institucion elitar kulturorë sikurse Filharmonia.

Vet fasada e objektit e vjetruar dhe vende-vende e rënë fare, flet për gjendej ku është katandisur institucion i Filharmonisë.

Baki Jashari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, ka potencuar për Kallco.com se në këto kushte përgatitja e koncerteve, në një objekt me mungesa të mëdha, del të jetë mjaft sfiduese.

Por, pavarësisht problemeve Filharmonia ka nisur realizimin e planit vjetor të punës, dhe sipas tij, ky institucion këtë të diele, më 13 janar 2019 , do të mbajë koncertin e parë për këtë viti, ndërsa po më 20 të këtij muaji edhe të dytin.

“Natyrisht, kushtet në të cilat në punojmë nuk janë as për se afërmi ato që i duhen një institucione siç është Filharmonia, bazuar në faktin se ne veprojmë në një objekt të stërvjetëruar, pronë e komunës së Prishtinës, dhe tani po hyjmë në vitin e 16 prej kur ky institucion është vendosur në këtë objekt që nga 2003 dhe gjithnjë në pritje të objektit të premtuar”, thotë Jashari.

Por, më e keqja sipas tij, është se koncertet e Filharmonisë realizohen vazhdimisht në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në një objekt të vjetëruar dhe pa parametra e nevojshëm akustik, si dhe pa infrastrukturën e duhur për akomodimin e publikut. Ndonjë herë edhe në kishat e Prishtinës apo hotele.

Për të është ironik kjo situatë që po përcjell institucionet kulturore në vend, sidomos institucionin që ai drejton që nga themelimi në viti 2000 kur kishe vetëm 13 instrumentistë, tani është konsoliduar dhe numëron afërsisht 90 anëtarë të rregullt, në mbi 30 instrumentist dhe korist të angazhuar me projekte.

“Ne veprojmë në një objekt ku këta 120 performues nuk kanë hapësirë elementare për zhvillimin e aktivitetit dhe jemi të detyruar të punojmë në dy turne, sikurse shkollat që kanë numër të madh nxehësish, edhe ne paradite kemi  njësinë e orkestrës që punon dhe pasdite korin”, thotë drejtoi i Filharmonisë.

Më tej Jashari ka thënë se kur ka përgatitje për koncerte të përbashkëta ballafaqohen me probleme për realizimin e provave në hapësira kaq të vogla që ka aktualisht Filharmonia.

Kjo situatë jo vetëm që është sfidë e madhe për realizimin e planit vjetor të Filharmonisë, dhe realizimin e më shumë shfaqjeve, por që dëmton edhe  kualitetin e performancës së Filharmonisë, veçmas në realizmin final të programit.

Ndërkaq sa i përket kuadrit, viteve të fundit Filharmonia qëndron mirë dhe ka shumë pak nevojë për huazim të instrumentistëve në raport me disa vite më parë.

“Tani kemi një situatë shumë më të mirë, ne vazhdojë t`i huazojmë disa instrumentistë specifik që ne ende nuk i kemi të formuar në nivelin e duhur për instrumente frymore, siç është p.sh. oboa. Ndërkaq nevoja që dalin për disa instrumente harkore në bashkëpunim me fakultetin e Arteve po arrin të zvogëlohet dhe nuk flitet më për një aspekt dramatike në mungesën e kuadrit në Filharmoninë e Kosovës”, thotë Jashari.

Megjithatë mirëmbajta e instrumenteve, po del të jetë një problem i pazgjidhur për Filharmoninë, për shkaka të fondeve, pavarësisht kërkesave që menaxhmenti i këtij institucioni drejton në MKRS. Në viti 2015 Filharmonia e Kosovës është furnizuar me instrumente të reja falë një donacioni mbi gjysmë milion euro nga qeveria japoneze.

 

“Tash mungon edhe mirëmbajtja e tyre, që nuk po ndodhë, për fat të keq, vazhdimisht në mungesë të buxhetit për këtë aspekt dhe ne kemi kërkesa të vazhdueshme, jemi institucion vartës i Ministrisë së Kulturës që të zgjidhet edhe problemi i amortizimit të instrumenteve dhe servisimi i tyre që është diçka e domosdoshme”, tha ai.

Mbajtja e koncerteve për këtë institucion jashtë vendit del të jetë jo e lehtë, veçanërisht për shkak të numrit të madh të anëtarëve dhe kostos,  përveç bashkëpunimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Filharmonia varësisht vit pas viti në bazë të buxhetit realizon edhe koncerte dhe bashkëpunime në shtete të ndryshme, sikurse në Turqi, apo Britani të madhe vitin e kaluar, etj. me disa koncerte shumë të suksesshme të korit, pasi ne kemi shumë më shumë kapacitet interpretues shumë më të madh që të prezantohemi jashtë shtetit, edhe për të mirën e imazhit kulturor të Kosovës”, tha për KALLXO.com, drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari.

Megjithëse, sipas Jasharit sa herë që ky institucion ka pasur rastin është  dëshmuar që është institucion i denjë  për të promovuar vlerat kulturore jashtë vendit.

.