Ministri Pal Lekaj duke inspektuar punimet në rrugën e Veternikut më 19 shtator 2017. Rruga ende nuk është përfunduar – Foto: Facebook

Ministria dhe Komuna nuk e dinë se kur do të përfundojë rruga në Veternik

Projekti për zgjerimin e rrugës me katër korsi në lagjen Veternik të Prishtinës, i nisur në vitin 2017,  duket se nuk do të mund të përfundojë as gjatë këtij viti.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në maj të këtij viti, kishte premtuar se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë brenda 55 ditësh.

Megjithatë, MI-ja dhe Komuna e Prishtinës, nuk e kanë ndonjë datë të saktë se kur do të finalizohet zgjerimi i rrugës.

Menaxheri i projektit nga zyra e Ministrisë së Infrastrukturës, Skender Canolli ka thënë për KALLXO.com se e kanë të vështirë të japin një datë se kur saktësisht do të përfundojnë punimet.

“Sa i përket zgjerimit të rrugës Nacionale N2 Hyrja në qytetin e Prishtinës – Veternik LOT 1 (ana e majtë drejtimi Prishtinë-Veternik) kanë përfunduar të gjitha punimet dhe aty komunikacioni është duke u zhvilluar normal. Ndërsa LOT 2 (ana e djathtë drejtimi Prishtinë-Veternik) për shkak të gjendjes në terren ka vështirësi të mëdha gjatë ekzekutimit. Dinamika e zhvillimit të punimeve është më e ngadalshme. Si pasojë e kësaj për momentin është e vështirë të japim një datë të saktë për përfundimin e këtij LOT- i”, tha ai.

Sipas Canollit, Ministria po bën përpjekje që projekti të përfundojë mirë, përderisa shtoi se janë thuajse në përfundimin e sezonit ndërtimor për këtë vit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com, është shprehur optimist se rruga do të përfundojë së shpejti.

“Për shkak se është rrugë magjistrale, është projekt i  Ministrisë së Infrastrukturës dhe e kemi diskutuar. Çështja kryesore është e urës, ku kemi pasur probleme me shembje të rrugës vazhdimisht. Ministria më ka informuar se po i shohin mundësitë e zgjidhjes së problemit edhe me KFOR-in për ta gjetur një, do të thosha, zgjidhje momentale për ta vendosur urën, derisa  të bëhen riparimet e nevojshme”, tha Ahmeti.

I pari i Prishtinës e ka fajësuar qeverisjen e kaluar për gjendjen e tanishme të rrugës në Veternik.

“Herën e fundit ajo për shkak të një procesi elektoral në nivel qendror është shpejtuar për me u kry më shpejt, e kur të ngutesh për shkak të proceseve të zgjedhjeve… s’po foli më shumë, por ka shkaktuar shumë probleme të tjera, të cilat tash po mundohemi me i sanu dhe adresu bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës”, përfundoi Ahmeti.

Projekti 3 milionësh për zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës me tetë korsi ishte inauguruar me 18 prill të 2017-ës.