Foto: REL

Mijëra Qytetarë Protestuan Kundër Qeverisë së Shqipërisë

Kreu i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

“Në emrin tuaj, në emër të të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e Qeverisë së paligjshme, krijimin e Qeverisë anti-mafia që do ta luftojë krimin, do të çojë përpara reformën e drejtësisë sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori shqiptarët nga vendi i tyre si asnjëherë tjetër. Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim, nuk është lëvizje e lirë. Shqipëria kështu vdes”, ka thënë Basha.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka thënë senë këto protesta, ajo nuk përfaqëson partinë e saj, por zërin e të gjithë shqiptarëve dhe zërin e çdo gruaje “që do të shpëtojë nga makthi i varfërisë”.

“Ky njeri urren vendin e tij, familjen e tij, ky njeri nuk e do flamurin e vendit të tij”, është shprehur Kryemadhi duke iu referuar kryeministrit Rama.

Ndërsa, qytetarët që po protestonin thanë se kanë dalë për të treguar pakënaqësitë e tyre ndaj Qeverisë Rama.

Në mesin e atyre që brohorisnin “Rama ik”, Radio Evropa e Lirë mori disa mendime dhe arsyen pse ata po protestonin.

Tea Alla, nxënëse nga Elbasani tha:

“Këtu kam dalë për të gjithë ata njerëz që sot janë pa bukë. Për të gjithë ata njerëz që nuk mund të paguajnë ilaçe, sepse spitalet janë bosh – nuk ka ilaçe. Jam këtu për të protestuar për të drejtat e mia. Unë pretendoj të iki nga Shqipëria si ta mbaroj gjimnazin, sepse ky vend ka mbaruar, nuk ka shpresë”.

Një qytetar nga Tropoja tha se ka dalë të protestojë se të rinjtë po ikin nga Shqipëria:

“Kam mbetur i vetëm në Tropojë, as fëmijët nuk i kam më këtu. Ikën se mbetëm pa lekë. Nuk kemi ujë, nuk kemi drita. Nuk është jetë kjo”.

Ndërsa një i moshuar që po protestonte me bukë në dorë, tha se “unë nuk kam armë, unë kam dalë me këtë bukë se është krejt çka mund të përballoj të blej. As barna nuk kam, vetëm këtë bukë”.

Edhe pse me forca të shtuara të policisë, protestuesit u shpërndanë qetësisht dhe protesta kaloi e qetë.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga “opozita e bashkuar shqiptare” kundër Qeverisë së Edi Ramës dhe organizatorët thanë se nuk do të ndalen deri sa Rama të largohet.

Qeveria ende nuk ka dalë me ndonjë reagim rreth protestës, por ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se protesta e opozitës mund të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe shpreson që negociatat për anëtarësim t’i fillojë këtë vit.

 

 

27 Janar 2018 - 14:34

REL 27/01/2018 - 14:34
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend