Fotografi nga lagjja e fshatit Llaushë, ku ndodhi vrasja e 49 vjeçares Foto: KALLXO.com

Detaje të reja për vrasjen në Llaushë: Mbrojtja e viktimave u lajmërua 4 orë me vonesë nga Policia pasi u intervistua viktima

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhi se si Mbrojtja e Viktimave u njoftua përmes emailit nga Policia për rastin e dhunës në familje ndaj Lirije Qerimajt, e cila u vra më 5 janar.

Vetë mbrojtësja e viktimave Hatixhe Latifi kishte treguar për KALLXO.com se nga zyrtarët policorë kishte kërkuar që dosjen t’ia dërgonin përmes emailit deri sa tregonte se kishte sugjeruar zyrtarët policorë që për urdhër mbrojtje ta njoftonin koordinatorin regjional të dhunës në familje.

Kjo pasi që këtë urdhër mbrojtje emergjent mund ta lëshojë edhe Policia në raste emergjente dhe kohë festash deri sa të bëhej kërkesë në gjykatë nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.

Në ditën kur Lirije Qerimaj kishte kërkuar urdhër mbrojtje ishte ditë e shtunë, për shkak të festave të fillimvitit festat zyrtare u bartën në ditën e hënë dhe e martë ndërsa një kërkesë për urdhër mbrojtje u la të ushtrohej tek të mërkurën, katër ditë pas raportimit për dhunë në familje.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” zbardhen edhe detaje të reja në lidhje me trajtimin e rastit të dhunës në familje që ishte raportuar më 1 janar.

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave është njoftuar katër orë më vonë për rastin e hapur si dhunë në familje, të cilin e kishte raportuar djali i Lirije Qerimajt e vrarë më 5 janar. Dorasi dyshohet të jetë burri i Lirijes, Skender Qerimaj.

“Mbrojtësja e viktimave ka qenë në kujdestari edhe Policia e ka lajmëru, i kam dëshmitë, e ka lajmëru përmes telefonit diku 19:07 minuta masi është liru viktima, e ka lajmëru përmes telefonit që kemi pasë një rast të tillë ka kërku urdhër mbrojtës”, tregon menaxheri i Mbrojtjes së Viktimave, Basri Kastrati.

Kastrati shpjegoi se rasti në Polici ishte kryer në ora 15:15 ndërsa zyrtarja Hatixhe Latifi është njoftuar nga Policia për të njëjtin rast në ora 19:07 në mbrëmje.

“Nuk është normale, po atë kohë është informu”, thotë Kastrati.

Basri Kastrati, Zyra e Mbrojtjes së Viktimave, Foto: KALLXO.com

Ramadan Ahmeti nga Policia e Kosovës thotë se kjo nuk është mirë por duhet të trajtohet nga institucionet.

“Absolutisht nuk është normale dhe nuk është mirë, me siguri që është ndonjë lëshim, sepse e di që janë njoftu në interval kohor kronologjik të shpejtë nëse është kjo kohë i mbetet institucioneve të tjera”, arsyetohet Ahmeti.

Ramadan Ahmeti, Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Kastrati shpjegon si ka vepruar Hatixhe Latifi.

“Zyrtarja jonë e ka sugjeru policen që e ka intervistu viktimën, e ka njoftu në telefon, i ka thënë nëse është me rrezik ju duhet të thirrni koordinatoren nga radhët e Policisë që të lëshojë urdhër mbrojtjen emergjente në kohë festash zyrtare dhe gjatë punës ku nuk punon gjykata dhe prokuroria”, tha Kastrati.

Labinot Leposhtica, nga Zyra Ligjore në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) tregoi gjetjet e KALLXO.com gjatë raportimit të këtij rasti tragjik që kishte ndodhur në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Gruaja ishte marrë në pyetje nga Policia në Skenderaj katër ditë para se të vritej. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj, i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai apo Skender Qerimaj.

Gjatë dhënies së deklaratës para Policisë, Lirije Qerimaj kishte kërkuar nga shteti urdhër mbrojtje.

“Krejt hallka institucionale nuk ka funksionu, nuk dua ta ekzagjeroj por që nga dita kur është raportuar janë bërë të qarta indikacionet, është bërë e qartë dhuna paraprake e ushtruar nga bashkëshorti, qoftë psikike, qoftë fizike që e ka pranu edhe burri, janë plotësuar elementet e një dhune sistematike, viktima ka kërku mbrojtje dhe nuk i është ofru edhe si shfajësim përmenden festat zyrtare dhe zhvendosja e festave në të hënën e të martën është vendosur që të pritet pesë ditë për me ia ofru urdhrin e mbrojtjes një grua të cilën e ka kërku”, tha Leposhtica.

Leposhtica shtoi se të dyshuarit në këtë rast, burrit të Lirije Qerimajt, Skender Qerimajt, i është dhënë hapësirë të kryejë vrasjen tragjike të gruas së tij.

Kjo pasi që Skender Qerimaj ishte intervistuar nga organet e rendit dhe për të njëjtën çështje ishte njoftuar edhe prokurorja kujdestare Stojanka Kosaloviq.

Kjo e fundit kishte urdhëruar Policinë që të njëjtin ta lirojë në procedurë të rregullt ndërsa rasti ishte cilësuar si dhunë në familje.

“Në rastin konkret, kur është raportu dhuna, pesë ditë para se të ndodhte vrasja, janë shfaqur elemente që konsideroj që përmbushin kushtet për caktimin e paraburgimit sepse edhe nga vetë kryesi është konstatu në një farë forme që ka ushtru dhunë edhe më përpara, ekziston rreziku që ai me përsërit, madje gruaja ka tentu me shpërfaqë që ai mund të mos jetë mirë në gjendjen mendore”, tregon tutje Leposhtica.

Sipas këtij të fundit, gruaja është lënë në një shtëpi me të dyshuarin i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte pasur.

“Prokuroria as nuk ka marrë ndonjë veprim me konstatu gjendjen mendore të të dyshuarit, as ndonjë vendim për me i siguru strehim viktimës”, tregon Leposhtica.

Sipas të njëjtit, zyrtarët policorë në Skenderaj nuk kanë arvlerësu rrezikshmërinë në rast.

“Nuk e di kush është zyrtari konkret që ka vlerësu që situata nuk është emergjente, përkundër që të gjitha indikacionet e mundshme që kjo situatë të agravojë dhe të kalojë në fatalitet i ka pasur para vetes. Thjesht janë nënvlerësuar situatat dhe kjo është dëshmu fatkeqësisht që ka rezultu me një vrasje”, përfundon Leposhtica.

Ramadan Ahmeti, major në Policinë e Kosovës, thotë se kanë njerëz të trajnuar brenda institucionit që merren me këto raste.

“Ne si polici i kemi mekanizmat i kemi njerëzit e trajnuar, që nuk guxon ashtu me ndodh që nëse një person m’i thënë policia: Shko se nuk është rrezik!,  e që viktima tregon që është duke u kanosur me jetë”, tha Ahmeti.

Ai jep shpjegimin e tij në lidhje me ngjarjen tragjike në Skenderaj.

“Nga raportet që kemi pranuar, Policia iu ka përgjigjur thirrjes më 1 janar që e ka lajmëru djali i tyre. Ka shku Policia te shtëpia e tyre. I ka marrë i ka sjellë në stacion, viktimën, djalin e saj dhe të dyshuarin dhe është njoftuar edhe prokurori për gjithë këtë. Viktima nuk ka thënë se është e kërcënuar me jetë, viktima ka thënë që personi në fjalë po dyshon në veprimet e mia se unë jam duke e tradhtuar që ka mëndu ai dhe viktima thotë që ka probleme psikike jo fizike dhe burri ka probleme mendore”, shton tutje Ahmeti.

Sipas Ahmetit, kur është raportuar rasti janë njoftuar edhe përfaqësues të institucioneve të tjera që trajtojnë rastet e ngjashme.

“Është thirrë përfaqësuesi i QPS, mbrojtësi i viktimave dhe ka thënë që për këtë rast do të bëjë kërkesë për urdhër mbrojtës. Ky i QPS-së nuk e di çka ka deklaru po ka qenë prezent në bazë të asaj që e kam parë në raport të Policisë”, shton Ahmeti.

Ahmeti potencon se nuk kanë pasur ndonjë indikacion që është rrezikuar viktima me jetë.

“Nuk është çështja që është diskutu që ky person nuk ka nevojë me shku në psikiatri por në aspektin e rrezikut të viktimës nga kanosja direkte për jetë nuk është dokumentu as në deklaratë të djalit të saj dhe as të viktimës”, vazhdon Ahmeti.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ngjarjen e cila ndodhi më 5 janar në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Policia kishte njoftuar prokurorin kujdestar për një dhunë në familje, rast i cili më pas ka shkuar në procedurë të rregullt. Viktima, i dyshuari dhe djali i tyre janë kthyer në të njëjtën shtëpi ndërsa katër ditë më pas, Lirije Qerimaj u vra ndërsa kërkesa për urdhër mbrojtje që e kishte kërkuar ishte bërë pikërisht atë ditë.

Lirije Qerimaj u vra para se të marrë urdhrin mbrojtjes ndërsa institucionet e përfshira në këtë rast nuk kanë pranuar deri më tani përgjegjësi se ku ngeci rasti.

Hetime është duke kryer edhe Inspektorati Policor i Kosovës për të parë nëse ka pasur lëshime nga ana e zyrtarëve policorë.

Ngjashëm janë duke vepruar edhe Prokuroria e Mitrovicës dhe Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.