Të akuzuarit për vjedhjen e materialit ndërtimor në vlerë mbi 10 mijë euro, u ballafaquan me të dëmtuarin

Vëllezërit Saramand dhe Driton Cufa, të akuzuar për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, dolën sot para gjyqtares së rastit Diana Sina, për t`u ballafaquar me deklaratën e të dëmtuarit Arian Dobruna.

Prokuroria, të njëjtit po i akuzon se kanë vjedhur material ndërtimor në vlerë mbi 10 mijë euro, nga i dëmtuari Arian Dobruna.

Sot, i dëmtuari Arian Dobruna tregoi me bindje të plotë se në depon e tij, i kishte parë dy të akuzuarit duke vjedhur.

Ai tha se është shumë i sigurt që kanë qenë të njëjtit dhe se gjysma e materialit që i është kthyer nga Policia, kishte qenë i dëmtuar.

Sipas të dëmtuarit Arian Dobruna në depon e tij ishin kryer disa vjedhje, për të cilat kishte dyshuar në të akuzuarit, sepse njëri prej tyre kishte punuar në atë depo, por i njëjti ishte i sigurt që vjedhja e fundit ishte kryer nga Saramand dhe Driton Cufa.

Në këtë rast pritet që të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë.

Saramand dhe Driton Cufa ishin deklaruar të pafajshëm kundër aktakuzës së ngritur nga prokurorja Mone Syla.

I akuzuari Saramand Cufa, duke mohuar veprën penale të vjedhjes, kishte pohuar se materialin vetëm e kishte shitur, ndërsa i akuzuari Driton Cufa kishte thënë që nuk ka të bëjë as me vjedhje e as me shitje të materialit ndërtimor.

Sipas aktakuzës, në korrik të këtij viti në Gjakovë, që të dy kanë vjedhur material ndërtimor në deponë e të dëmtuarit Arian Dobruna.