Pjesëtari i Policisë për dhunën brutale: Ka qenë e gjitha nën afekt, patëm probleme me rrymë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje të rënda të një ngjarjeje, e cila është regjistruar në orët e mbrëmjes së 22 majit të këtij viti në një lokal në Gjakovë.

Pashuk Pepaj dhe djali i tij Shelbim Pepaj ishin arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar brutalisht Arian Dobrunën. 

Në një bisedë telefonike me ekipin e KALLXO.com, Pashuk Pepaj thotë se nuk dëshiron të flasë para kamerës sepse ende nuk ka marrë një vendim të ri në lidhje me masën e sigurisë ndaj tij, nga Gjykata e Gjakovës. 

Por përmes telefonit ai jep versionin e tij se si kishin nisur problemet me familjen Dobruna derisa thotë se sulmi ndaj Arian e Urim Dobrunës ka qenë nën afekt. 

“Po, unë prej këtij zotnisë e kam ble banesën, 55 mijë euro, ka pasur në fund të shtatorit të vitit 2021 banesa më ka kalu në emrin tem sepse më ka thënë që më dokumentacion është gjithçka në rregull, por ndërkohë, e kemi zbuluar që banesa është paluajtshmëri dhe është në hipotekë, kam kërku prej tij me m’i kthy paratë e mia, kur e kemi bërë marrëveshjen edhe në fund të shtatorit kam pasë me ia paret e tjera, shumën tjetër të parave dhe ky nuk ka pranu me i kthy paratë e tjera, gjoja se i ka harxhu”- tregon Pepaj. 

Ai shton se ishin marrë vesh me Arian Dobrunën që të nënshkruajnë një aneks- kontratë në të cilën shërbimet publike, siç janë energjia elektrike, uji, tatimi në pronë të kalojnë në emër të Pepajt. 

“Asnjë deri tash nuk janë realizu, as rryma, as tatimi në pronë, uji dhe mbeturinat janë në emrin tim. Kështu që në vazhdimëis kam kërku prej tij me ma qitë rrymën në emrin tim, po i njëjti paska pasë probleme me trafo, çka po di gjë unë, na ka pru disa fatura të shkruara me dorë se sa kemi borxh për rrymë, dhe kërkojmë rrymën me shku me pagu ose kesh ose me pagu rrymën në emrin e tij”- tregon tutje Pashuk Pepaj. 

Ai thotë se disa herë kanë qenë pa energji elektrike dhe kjo u ka shkaktuar shumë probleme. 

“Unë nuk mendojsha pa e pa si dokument që jam duke e pagu rrymën unë. Edhe me 5 maj e kam njoftu KEDS-in me na dhanë sqarime për rrymë, kanë ardhur në vendin e ngjarjes e kanë kqyr, kanë shku, kanë bërë raport, më 5 maj e kanë ndalë rrymën deri më 23 maj kemi qenë në terr, krejt blloku i shkyqun”- shton ai. 

Në ditën kritike, Pepaj thotë se energjia elektrike ishte rregulluar dhe i kishte kërkuar ndërkohë djalit të tij Shelbimit që të shkonte të blinte cigare. 

E këtu pak minuta para se të niste edhe rrahja fillimisht e Urim Dobrunës, Pepaj e përshkruan se Ariani e kishte fyer e sharë. 

“Më 22 maj, e kanë lëshu rrymën, nuk e di çfarë marrëveshje ka bërë me ta nuk e di unë, edhe djali ka qenë tu shku se metëm pa cigare, shkoj në market dhe kur ka ra poshtë dhe ky e ka shajtë (Ariani) i ka thanë pse më keni denoncu dhe e ka goditë djalin, edhe djali e ka goditë atë, nejse se i ka thanë edhe fjalë të tjera po tash… “- thotë ai. 

Tutje Pashuk Pepaj thotë se të gjitha veprimet i ka bërë pa qëllim të sulmit. 

“Edhe unë kur e kam ndëgju zhurmën kam dalë me këqyr çka ka ndodh, nuk ka qenë qëllimi me ndodh diçka e keqe aty por kur kam ra poshtë, kanë fillu apet me shajtë, edhe nën afekt ka ndodhur ai problemi, pastaj kanë ardhur Policia, kanë fillu rastin, prej datës 23 qershor deri më sot, apet nuk ka pasë rrymë..”- thotë ai përmes telefonit. 

Nismë të problemit ani pse Arian Dobruna thotë se nuk ka, Pashuk Pepaj thotë se gjithçka nisi për shkak të mungesës së energjisë elektrike. 

“Nisma është rryma se i ka thënë djalit pse më këni denoncu dhe e ka shajtë djalin, i ka thanë: “kam me ju vra”, e këto fjalë… “- arsyetohet Pepaj. 

Në lidhje me veprimet e tij edhe pozitës që mban Pepaj thotë se veprimet kanë qenë nën afekt. 

“Ajo ka ndodhur nën afekt, s’jam najkush me u marrë me të po në afekt ka ndodhur, pa asnjë paramendim apo qëllim, por ai ka qenë i përgatitur, e ka planifikuar këtë punë sepse pas daljes së paraburgimit përmes njerëzve i ka kërku 20 mijë euro për mu pajtu. Problemi i tij është me krejt banorët jo vetëm me mua por me të gjithë banorët, më beso se ky është një mashtrues që na ka mashtruar të gjithëve”- tregon ai. 

Pashuk Pepaj dhe djali i tij Shëlbimi ishin arrestuar ngë Inspektorati Policor i Kosovës dhe për 15 ditë më tutje kishin qenë në paraburgim për veprën penale – lëndim i lehtë trupor. 

Pas 15 ditësh, Prokuroria në Gjakovë kishte bërë kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. 

Masën e sigurisë të arrestit shtëpiak, Pepaj e ka pasur deri më 6 korrik. 

Në Prokurorinë Themelore të Gjakovës rasti i sulmit brutal ndaj Arian dhe Urim Dobrunës është hapur si lëndim i lehtë trupor. 

Ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Kallezimi penal është pranuar me date 23.05.2023 kunder  Pashuk Pepaj dhe Shelbim Pepaj, po ashtu me date te njejte eshte marrë aktvendim per fillimin e hetimeve ndaj te dy te dyshuarve per vepren penale lendim i lehte trupor ne bashkekryerje nga neni 185 par.1 lidhur me nenin 31 te KPRK-se”- ka thënë në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Hekuran Batusha, zëdhënës në këtë Prokurori. 

Ata nuk kanë dhënë përgjigje se si e kanë bërë vlerësimin për zëvendësimin e masës së sigurisë. 

Në anën tjetër Lekë Muqaj nga Gjykata në Gjakovë dha detaje për vendimin për zëvendësim të masës. 

“Me datën 02 qershor 2023, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka paraqitur propozim në Gjykatën Themelore të Gjakovës, për zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe caktimin e masës së arrestit shtëpiak për një (1) muaj, me që akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore”- thotë Muqaj. 

Ai shtoi se gjyqtarja kishte aprovuar propozimin e prokurores.