Rrahja brutale në Gjakove, Pashuk Pepaj i akuzuar, Arian Dobruna i demtuar, Foto: KALLXO.com

Aktakuza ndaj pjesëtarit të stafit civil së Policisë për rrahjen brutale në Gjakovë, shtyhet seanca pasi munguan gjyqtari e prokurori

Pashuk Pepaj, pjesëtar si staf civil në Policinë e Kosovës dhe djali i tij Shëlbim Pepaj, janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në lidhje me dhunën fizike brutale të cilën ata e kryen në orët e mbrëmjes së 22 majit të këtij viti në një lokal ndaj Urim e Arian Dobrunës – edhe këta të fundit babë e bir.

KALLXO.com në korrik të këtij viti transmetoi pamjet ekskluzive të rrahjes brutale që ndodhi në Gjakovë dhe intervistat me palët e përfshira në rast.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj aktakuzën e Prokurorisë në Gjakovë për pjesëtarin e stafit civil dhe djalit të tij ndërsa gjatë ditës së sotme nga ora 09:00 ishin ftuar palët për t`u paraqitur në gjykatë në shqyrtimin kryesor për këtë çështje.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Arian Dobruna tha sot se seanca e cila ishte e paraparë që të mbahet është shtyrë për shkak të mungesës së gjyqtarit.

“Sot kemi pasur seancën dhe thirrjen nga Gjykata Themelore në Gjakovë dhe për çudi as gjyqtari as prokurori nuk kanë ardhë. Në sallë kemi qenë të gjithë të pranishëm dhe kemi prit më pak se një orë”- ka thënë Dobruna.

Pashuk Pepaj dhe djali i tij Shëlbimi nga Prokuroria po akuzohen për kryerjen e veprës penale lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje.

Edhe dosja e prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, tregon atë që ishte transmetuar në emisionin #KallxoPernime

Urim e Arian Dobruna ishin rrahur brutalisht mbrëmjen e 22 majit në lokalin e tyre në Gjakovë.

Ngjarja ishte regjistruar rreth orës 20:00 në mbrëmje në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë ku jetojnë edhe Urim e Arian Dobruna, por edhe të akuzuarit Pashuk e Shelbim Pepaj.

Prokuroria në aktakuzë ka përshkruar se babë e bir, Pashuk e Shelbim Pepaj me mjet të rreziksëm apo ndonjë send tjetër që mund të shkaktoj lëndime pas një mosmarrëveshje në lidhje me njehsorin elektrik të banesës së tyre kishin kryer veprimet inkriminuese për të cilat edhe paraqiten në dosje penale.

Në ditën kritike prokuroria ka thënë se Shelbim Pepaj e kishte goditur Urim Dobrunën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit e që në ato momente i bashkëngjitet edhe babai i tij Pashuk Pepaj.

Tutje të akuzuarit në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com thuhet se fillimisht Pashuku nis ta sulmoj me grushte ndërsa djali i tij Shelbimi e godet me një mjet të metaltë në regjionin e kokës, me ç’rast të dëmtuarve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Nga këto grushte, Urim Dobruna kishte pësuar ndrydhje në regjionin e faqes së majtë, në sy, gjakderdhje në brendësinë e syrit të djathtë dhe thyerje të kockave të hundës e Arian Dobruna kishte pësuar ndrydhje në regjionin e kraharorit, syrit të majtë, plagë shqyerëse në regjionin ballor dhe në pjesë tjera të kohës.

Pashuk e Shelbim Pepaj e kanë pranuar fajësinë në lidhje me veprimet e tyre ndërsa kjo u është konsideruar si një rrethanë lehtësuese ndërsa dashja për kryerjen e veprës penale dhe prezenca e dhunës në mënyrë mizore janë konsideruar si rrethanë renduese.

Këtu mund të lexoni edhe artikujt e tjetër për këtë ngjarje. (LINK)