Gjakovë: Të akuzuarit për vjedhje të materialit ndërtimor në vlerë mbi 10 mijë euro do të ballafaqohen me dëshmitarë

Vëllezërit Saramand dhe Driton Cufa, të akuzuar për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, dolën sot para gjyqtares së rastit Diana Sina, për të kuptuar që gjykimi ndaj tyre vazhdon më 21 shtator.

Të akuzuar nga Prokuroria se kanë vjedhur material ndërtimor në vlerë mbi 10 mijë euro, pas disa ditësh ata pritet të ballafaqohen me dy dëshmitarë të propozuar nga avokatët e tyre, Avdi Rizvanolli dhe Azem Islamaj, të cilët kërkuan edhe ndërprerjen e paraburgimit.

Saramand dhe Driton Cufa ishin deklaruar të pafajshëm kundër aktakuzës së prokurores Mone Syla.

I akuzuari Saramand Cufa, duke mohuar veprën penale të vjedhjes, kishte pohuar se materialin vetëm e kishte shitur, ndërsa i akuzuari Driton Cufa kishte thënë që nuk ka të bëjë as me vjedhje e as me shitje të materialit ndërtimor.

Sipas aktakuzës, në korrik të këtij viti, përballë qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, që të dy kanë vjedhur material ndërtimor në deponë e të dëmtuarit Arian Dobruna.

Aktakuza thotë që të akuzuarit Cufa, derën e depos e kishin hapur me forcë dhe nga aty kishin marrë material ndërtimor në vlerë mbi 10 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se ata kishin marrë 74 topa hidroizolues në vlerë prej 4,400 euro dhe 9 gypa të një pajisje makinerie në vlerë prej 6,500 euro.

Një pjesë e materialit të vjedhur i është kthyer pronarit.

Të njëjtit pasi janë zënë nga ana e Policisë, një sasi e mallit i është kthyer të dëmtuarit, e me ç’rast të dëmtuarit i kishin shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerë prej 4,504 euro- thuhet në aktakuzë.