Shtyhet seanca ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit

Në mungesë të dëshmitarëve të cilët ishin të paraparë të dëgjoheshin sot, është shtyrë seanca ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, të akuzuar për vrasjen e një polici nga Kosova dhe një zyrtari policor nga radhët e UNMIK-ut, vrasje e cila kishte ndodhur në vitin 2004 në fshatin Shakovicë

Sot ishin paraparë që të dëgjoheshin B.M., P.M., dhe R.Z., por të njëjtit nuk ishin prezent.

Prokurorja e rastit Habibe Salihu për mungesën e dëshmitarëve të cilët ishin propozuar nga prokuroria, tha që të njëjtit jetojnë jashtë vendit dhe se kanë siguruar adresat e tyre.

“Prej seancën se kaluar, deri më tani kemi siguruar adresat e dëshmitarëve që gjenden në Francë, duke pasur parasysh që jemi në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, propozoj që të njëjtëve me ju dërgu ftesa që të njëjtit me u dëgju përmes video-linçeve, propozojmë që në seancën e ardhshme me ju drejtu shteteve që me na e  mundësu që këta dëshmitarë përmes video linçeve te dëgjohen”- tha Salihu.

Gjykata vendosi që dëshmitarëve së pari të ju dërgohen ftesa përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, e në rast se paraqiten probleme dëshmia e tyre do të merret me video linçe.

“Gjykata këta dëshmitarë fillimisht do të tentoj që ftesën t`ua dërgoj përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar…, dhe nëse paraqitet ndonjë arsye objektive…, dëshmia e tyre do të merret përmes video linçeve”- mori aktvendim trupi gjykues.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më datën 22 dhjetor të këtij viti.

Të akuzuar të tjerë për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, P.E., dhe zyrtarin policor të Kosovës, A. R., të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës B. M. dhe përkthyesi i UNMIK-ut R. Z., kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.