Shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Mamushës të akuzuar për keqpërdorim

Seanca e paraparë që të mbahej sot ndaj Cafer Morinës dhe Rifat Krasniç është shtyrë për shkak se ka munguar avokati i njërit prej të akuzuarve.

Nga kryetari i  trupit gjykues Xheladin Osmani u bë e ditur se mbrojtësi Naim Kurteshi me anë të një parashtrese dorëzuar gjykatës ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet pasi që ka rast vdekje.

Në seancë nuk qe e pranishme as anëtarja e trupit gjykues Shpresa Emra  e cili kishte qenë e njoftuar paraprakisht për shtyrjen e këtij gjykimi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u caktua për datën 11 janar 2022.

Sipas aktakuzës, Cafer Morina si drejtor i arsimit në Komunën e Mamushës dhe Rifat Krasniç si drejtor i shkollës “Ataturk” akuzohen se në periudhën kohore 1 nëntor 2020 – 23 nëntor 2020, në kohë të pacaktuar, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli, duke mos zbatuar qëllimisht ligjin mbi punësimin.

Sipas prokurorisë, të pandehurit themelojnë marrëdhënie pune me mësimdhënësit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme “Ataturk”, si dhe i akuzuari i parë Cafer Morina themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen Hysnie Qabrati dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Shakir Mazrek, pa zhvilluar procedurë konkursi dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës, konkretisht nenin 8.

Me këto veprime Cafer Morina dhe Rifat Krasniç akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kujtojmë se me 4 qershor 2021, në fjalën e tij hyrëse prokurori Mehdi Sefa, kishte deklaruar se me aktakuzën e ngritur dhe në bazë të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Kurse, dy të akuzuarit kishin mohuar akuzën që i rëndonte.

Tutje, avokati Fatmir Jëlliqi kishte deklaruar se mësimdhënësit ishin pranuar dhe intervistuar sipas konkursit duke i respektuar procedurat e rregullta ligjore.

Kurse, për avokatin Naim Kurtishi, sipas tij i dëmtuari nuk i kishte ndjekur rrugët ligjore për ta kontestuar mënyrën e përzgjedhjes të të punësuarve pasi që fillimisht nuk ishte njoftuar inspektorati i punës në lidhje me këtë çështje.

Në anën tjetër, në dëshminë e tij, i dëmtuari Ramadan Shanli kishte deklaruar se kontratën me shkollën e mesme “Ataturk” e kishte themeluar më 1 shtator 2018, dhe kontratën e ka pasur për një vit ndërsa pas një viti do t’i bëhej e përhershme. Por, Shanli kishte thënë se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në rastin e tij.

I dëmtuari Shanli përpara gjykatës kishte deklaruar se në punë ishte pranuar djali i drejtorit të shkollës “Ataturk”, Cafer Morina, Fahri Morina.