Prokuroria ngrit aktakuzë për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit G. S., pasi që ka marrë pjesë në dëbimin e shqiptarëve gjatë vitit 1999, si dhe ka marrë pjesë në vrasje e veprime të tjera të kundërligjshme.

Me këtë rast, prokuroria e ka hapur aktakuzën për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

Prokuroria thotë se sipas aktakuzës i pandehuri G. S. si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në muajin prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi dhe Tërbovcë të komunës së Lipjanit, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

“Me këto veprime i pandehuri G. S. ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.  Ndërkaq, i njëjti gjendet në masën e paraburgimit nga 20.07.2019”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.