Pas raportimit në KALLXO.com, Prokuroria Speciale nis hetimet për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka njoftuar zyrën ligjore të BIRN-it se pas transmetimit të dokumentarit të KALLXO.com dhe pas pranimit të informacioneve nga zyra ligjore e BIRN-it lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, tashmë kanë filluar hetimin e këtyre rasteve.

“Ju njoftojmë se kemi pranuar e-mailat dhe shkresat të dërguara nga ana juaj në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, në emër të Kryeprokurorit të PSRK-së, z. Blerim Isufaj, ju falënderojmë për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Shkresat e pranuara do të trajtohen nga prokurorët e kësaj prokurorie”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga kjo Prokurori.

Dokumentari “Heshtja dhe Amnistia e Prokurorisë” flet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ku dëshmitarët rrëfejnë tmerrin e asaj kohe dhe mënyrën se si shpëtuan dhe si i panë nga afër ekzekutimet e viktimave civile shqiptare.

Dokumentari i KALLXO.com shpërfaq dëshmitë e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrave të Poklekut, Studimes, Rezallës, Izbicës, Krushës së Vogël, Gjakovës, Abrisë dhe Tërrnjes.

Gjatë këtij reportazhi flasin edhe dëshmitarët e masakrave dhe vrasjeve në grupe të shqiptarëve në vitet 1998 dhe 1999.

Leutrim Caraku është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së fshatit Poklekut të Drenasit, e cila ka ndodhur më 17 prill të vitit 1999. Aty forcat serbe nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e viktimave por u kthyen edhe dy herë për t’i djegur dhe zhdukur gjurmët e krimit.

“Unë kam mbijetuar në masakrën e Poklekut ku u vranë dhe u dogjën 54 persona, 24 nga ta nën moshën 18 vjeçare”,thekson Caraku.

Fadil Muçolli dëshmitari tjetër rrëfen se eshtrat e mbetur aty ishin larguar nga ta pasi forcat serbe edhe pasi i kishin djegur dy herë kishin tentuar t’i marrin duke i bërë gati në dy qoshet e dhomës ku u krye krimi.

“Më i madhi asht ka qenë sa pako e cigares”, tha Muçolli.

Një krim tjetër i ekzekutimit me armë nga afër, kryesisht në gjoks dhe kokë, kishte ndodhur natën e 2 majit të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë. Atë natë u vranë 92 persona nga aksioni i policisë dhe ushtrisë e forcave paramilitare që zgjati rreth 2 orë.

Shukri Gërxhaliu ka qenë dëshmitar i masakrës dhe 3 herë ka dëshmuar në Gjykatën e Hagës si dëshmitar. Gërxhaliu ka dëshmuar edhe në një proces tjetër ne Mitrovicë por askush ende nuk është dënuar.

“E kam pa nga afër vrasjen e një të riu nga një pjesëtar i forcave serbe”, thekson Gërxhaliu.

Dëshmitari tjetër Idriz Popova thotë se ka dëshirë të flasë e të dëshmojë pasi që e ndjen obligim ndaj gjakut që është derdhur në Kosovë.

“Edhe pse kanë kaluar vitet ende jam në gjendje me përshkru qysh ka ndodh ngjarja dhe me tregu se secila viktimë nga 92 atë natë ku i ka pasë plumbat dhe qysh ka qenë i ekzekutuar”, tha Popova.

Ky nuk ka qenë krimi i vetëm i forcave serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë. Aty edhe 3 herë të tjera serbët kishin kryer masakra e krime tjera.

Masakra në fshatin Abri të Epërme të Drenasit ka ndodhur më 26 shtator të vitit 1998, aty u vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu dhe 9 anëtarë të familjes Mulliqi.

Imer Deliu thotë se krimi i ndodhur në Abri të Epërme u injorua nga sistemet e drejtësisë. Sipas Deliut as Tribunali i Hagës nuk është marrë me krimet që kanë ndodhur në vitin 1998, por vetëm me disa krime të vitit 1999.

“Rreth 30 orë pas sulmit e kam gjetur të gjallë vajzën 6 javëshe nën trupin e gruas sime të vdekur”, tha Deliu.

Ismet Rukolli, është i mbijetuar në masakrën e Rezallës ku u vranë 98 persona ndërsa vetëm brenda një dite 5 prill 1999 u vranë rreth 80 persona.

“Unë kam shpëtuar sepse nuk me kanë kapur plumbat e mitralozit pastaj nga afër kam shpëtuar sepse kur ka ardhur tek unë e ka ndërruar karikatorin e Kallashit dhe më ka tejkaluar”, thekson Rukolli.

Më 28 mars të vitit 1999 në fshatin Izbicë të Skenderajt u vranë dhe masakruan 147 qytetarë shqiptarë, duke mos kursyer as gratë e fëmijët në djep.

Milazim Thaçi  është i mbijetuari i kësaj mizorie. Ai së bashku me 32 burra shqiptarë ishin ndarë nga pjesa tjetër e turmës për t’i dërguar drejt ekzekutimit në një pjesë të malit aty afër. Nga ai grup kishin shpëtuar vetëm 3 burra.

“Kur na ka rreshtuar pushkatim mua dhe 2 persona të tjerë nuk ka kanë kapur plumbat”, tha Thaçi.

Bekim Gashi nga fshati Tërrnje i komunës së Suharekës kishte parë nga afër vrasjen e 46 personave, përfshirë nënën dhe katër motrat e tij, të cilat ende vazhdojnë të mbeten të zhdukura.

“Nuk kam lanë vend pa i kërkuar dhe vetëm ata që kanë hallin tim e dinë sa e vështirë është kjo pritje që ta marrin ndonjë lajm dhe të dimë të paktën ku e kanë varrin”, tha Gashi.

Një lajm për bashkëshortin e saj e pret edhe Vlora Ymeraga  nga Gjakova.

Ndërkaq Mehmet Krasniqi i cili  i kishte mbijetuar masakrës së Krushës rrëfen tmerrin e natës së 25 marsit të vitit 1999 kur forcat serbe vranë 113 burra të fshatit.

Dokumentarin e plotë për masakrat në Kosovë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.

www.kallxo.com