Prizren: Dënohen burrë e grua për përleshje dhe dhunë ndaj njëri- tjetrit

Mosmarrëveshja dhe dhuna në familje e ndodhur më 1 gusht të këtij viti ndërmjet një çiftit nga Mamusha, ka vënë përballë në gjykatë burrë e grua, të dy si të akuzuar.

Si pasojë, Gjykata e Prizrenit ka dënuar burrë e grua, njëri me burgim e tjetri me gjobë për shkak të konfliktit të ndodhur në shtëpinë e tyre.

Gjykata e Prizrenit ka dënuar me 1 vit burgim të akuzuarin me iniciale H.T., nga Mamusha – Prizren, për veprën penale lëndim i lehtë trupor shkaktuar bashkëshortes së tij.

Tutje, gruaja me iniciale B.M., pos që është cilësuar e dëmtuar, e njëjta është akuzuar për vepër penale të sulmit ndaj bashkëshortit të saj me iniciale H.T., dhe është dënuar me gjobë në shumën prej 400 Euro.

E gjithë ngjarja kishte filluar si pasojë e një mosmarrëveshje verbale që kishte filluar ndërmjet tyre, pasi që i akuzuari H.T., me veturë e kushte dërguar bashkëshorten e parë te familja e saj.

I akuzuari H.T., më 1 gusht të këtij viti në Mamushë në shtëpinë e përbashkët familjare, ka përdorur forcë ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij me iniciale B.M e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kurse e akuzuar B.M., për veprën penale të sulmit është dënuar me gjobë në shumën prej 400 Euro, sepse pas acarimit të situatës, i kishte marrë telefonin e bashkëshortit të saj, e kishte përplasur për muri dhe më pas e kishte sulmuar bashkëshortin e saj duke e gërvishtur në pjesë të ndryshme të trupit.