Ilustrim

Pasojat e vozitjes në gjendje të dehur

Vozitja në gjendje të dehur përbën një nga rreziqet më të mëdha në komunikacion.

Prandaj, me kodin e ri, drejtuesit e automjeteve nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur mund të vuajnë deri në 12 vjet burgim.

Përkundër kësaj, në tri vitet e fundit Policia e Kosovës për shkelësit e ligjit ka shqiptuar mbi 3 mijë e 500 tiketa.

Të dhënat tregojnë se nga 405 aksidente të shkaktuara, fatmirësisht, asnjë nga aksidentet nuk ka përfunduar me vdekje.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

E shkaktarëve të këtyre aksidenteve, sipas analizës së realizuar duke u bazuar në të dhënat e hapura, rezulton që gjykatat po u japin ndëshkimin e duhur. 

Data-baza e të dhënave tregon se numri i rasteve të dënimeve me burg për këtë vepër ka shkuar duke u rritur vit pas viti.

Gjatë periudhës kohore 2017-2019, të dhënat statistikore tregojnë se departamentet e krimeve të rënda shqiptuan 6 dënime me burgim dhe 2 me kusht.

Fillim viti 2019, nisi me 215 lëndë të pazgjidhura të trashëguara ndërsa të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës tregojnë që gjatë këtij viti u pranuan në punë edhe 124 lëndë të ngasjes në gjendje të paaftë apo të dehur.

Prej këtyre lëndëve, për vitin 2019 katër dënime u shqiptuan me burg, ndërkaq 108 me gjobë dhe 38 me kusht. Gjykatat vitin e përmbyllën me zero vendime liruese apo refuzuese.

Vitet pasuese, nga 232 raste në total të ngasjes në gjendje të paaftë apo te dehur, gjykatat në Kosovë shqiptuan 184 aktgjykime fajësuese, 5 aktgjykime aprovuese dhe një aktgjykim refuzues.

Të dhënat nga statistikat e KGJK-së më tej sqarojnë se gjatë viteve 2020 dhe 2021, prej këtyre lëndëve u morën 21 aktvendime fajësuese dhe 2 refuzuese.

Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve nga viti 2017-2021, atwherw shohim se gjykatat paralel me pranimin e lëndëve shënuan ngritje të shqiptimit të dwnimeve me burgim. Kështu, sipas të dhënave gjykatat ndëshkuan 226 persona për ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur.

Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur

Kushdo që drejton automjetin në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit nëse në gjak ka alkool mbi 0,5 g/kg, apo të substancave tjera dehëse, nëse shkaktohet aksident dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Nëse vepra penale rezulton me lëndim të lehtë trupor të ndonjë personi ose dëm pasuror në vlerë prej 5 mijë euro apo më shumë, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Nëse vepra penale rezulton me lëndim të rëndë trupor të ndonjë personi ose dëm pasuror në vlerë prej 20 mijë euro apo më shumë, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

Nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej 3 deri në 12 vjet.

Marrja e lejes së vozitjes

Kryesit të veprës penale që e rrezikon sigurinë në trafikun publik, gjykata mund t’ia marrë lejen e vozitjes  dhe mund t’ia ndalojë kryesit marrjen e lejes së re gjatë periudhës prej  1 deri në 5 vjet.

 Nëse kryesi nuk ka leje të vozitjes, gjykata ia ndalon kryesit marrjen e lejes së vozitjes brenda afatit prej 1 deri në 5 vjet.

Gjykata mund të shqiptojë dënimin nëse kryesi ka kryer vepër penale duke shkaktuar lëndim të rëndë trupor apo vdekjen e personit.

Po ashtu gjykata mund t’i shqiptojë dënim nëse konstaton se pjesëmarrja e mëtejshme e kryesit në trafikun publik është e rrezikshme për sigurinë e trafikut publik për shkak të paaftësisë së tij për drejtimin e sigurt të automjetit.

Leja e vozitjes merret me vendim të formës së prerë të gjykatës. Koha e mbajtur në burg apo në institucionin e kujdesit shëndetësor nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

 Pas skadimit të afatit të caktuar nga gjykata, kryesi mund ta marrë lejen e re të vozitjes sipas kushteve të përgjithshme të parapara për marrjen e lejes përkatëse të vozitjes.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.