Kur kam të drejtë ta padis punëdhënësin?

Një punonjës në Kosovë i cili është larguar nga puna ose i janë shkelur të drejtat gjatë punës ka të drejtë që të padisë punëdhënësin.

Kontestet sipas ligjit zhvillohen në gjykatën themelore ndërsa të dhënat tregojën që edhe përkudnër pritjeve të gjata lëndët e të drejtave të puntorëve zgjidhen.

Marrëdheniet e punës ndërmjet një punëdhënësi dhe të punësuarit për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive specifike nga i punësuari rregullohen me Ligjin e Punës.

Prandaj, si i punësuari, po ashtu dhe punëdhënësi, janë të obliguar t’i respektojnë të drejtat dhe obligimet që burojnë nga marrëdhënia e punës.

Brenda tre viteve gjykatat në Kosovë filluan me rreth 8 mijë lëndë të kontesteve të punës, kurse gjatë kësaj periudhe kohore arritën të zgjidhnin gjysmën e lëndëve.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Data baza e të dhënave të hapura pasqyron se numri i kontesteve nga marrëdhëniet e punës ka shkuar duke u rritur nga viti në vit. 

Sipas databazës, vitin 2016 gjykatat tona e filluan 3669 lëndë, nga të cilat arritën të zgjidhin 1282 raste. Prej tyre, me aktgjykim gjykues në bazë të shqyrtimit kryesor ku është aprovuar kërkesë padia janë 722 lëndë. Me marrëveshje gjyqësore u zgjidhën vetëm 45 lëndë, ndërkaq, me hedhje poshtë të padisë 103 raste.

Të dhënat më tej sqarojnë se në vitin 2017 gjykatat pranuan 1336 raste të kontestit të punës që së bashku me numrin e lëndëve të trashëguara nga viti pasues, gjyqtarët e Gjykatave Themelore në fillim të vitit 2017 në shqyrtim patën 3725 lëndë.

Prej këtyre rasteve, të cilat ishin në punë, 1410 u zgjidhën deri në përfundim të vitit 2017 çka shënon rritje krahasuar me vitin paraprak. Prej këtyre 1410 lëndëve, 927 u aprovuan, 36 raste janë zgjidhur  me marrëveshje gjyqësore, 71 raste me hedhje poshtë të kërkesë-padisë, ndërsa 207 me tërheqje të padisë.

Të dhënat tregojnë po ashtu se numri i kontesteve të zgjidhura në mënyrë tjetër është rritur në mënyrë të theksuar. 

Nëse i analizojmë të dhënat, shohim se në vitin 2016, 96 raste janë zgjidhur në këtë formë, ndërsa në vitin pasues, vitin 2017 numri i lëndëve të zgjidhura është rritur në 131.  

Vitin 2017, gjykatat e përfunduan me 1410 lëndë të zgjidhura e 2315 lëndë të pazgjidhura.

Ndërsa, fillimviti 2018 nisi me 2317 lëndë të pa zgjidhura të trashëguara nga viti paraprak. Nga të dhënat rezulton se në vitin 2018 gjykatat pranuan 2123 lëndë të kontesteve të punës, që së bashku me numrin e lëndëve të trashëguara e quan numrin në 4410 lëndë të cilat i kishin në punë gjyqtarët për këtë vit. Prej këtyre 4410 lëndëve, për vitin 2018, 963 padi u aprovuan, 68 raste u zgjidhën me marrëveshje ,40 raste me hedhje të padisë e 174 raste me tërheqje.

Viti 2018 u përmbyll me 2917 lëndë të kontesteve të punës të pazgjidhura e 1523 lëndë të zgjidhura.

Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të kontesteve të punës përgjatë tri viteve, kuptojmë që numri i lëndëve të zgjidhura, ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2016 gjykatat zgjidhën 1282 lëndë të natyrës së punës, në vitin 2017 numri u ngrit në 1410 lëndë të zgjidhura kurse në vitin 2018 ky numër u ngrit ndjeshëm duke arritur me përmbylljen e vitit me 1523 lëndë të zgjidhura.

Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit

I punësuari të cilit i janë shkelur të drejtat e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë tek punëdhënësi ose organi përkatës për realizimin e të drejtave të shkelura ku punëdhënësi brenda 15 ditëve duhet të vendosë sipas kërkesës.

Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë

Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit të lartcekur, në afatin vijues prej 30 ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.

Nëse gjykata konstaton se ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është joligjore atëherë Gjykata e urdhëron punëdhënësin që t’i paguajë të punësuarve kompensimin dhe Gjykata mund ta rikthej të punësuarin në vendin e tij të punës dhe urdhëron kompensimin e të gjitha pagave.

Mbrojtja e të punësuarit nga Inspektorati i Punës

I punësuari në çdo kohë gëzon mbrojtje edhe nga Inspektorati i Punës.

I punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien nën kompetencat e këtij organi, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorit në punë. 

Për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, Inspektorati i Punës mund të shqiptojë masa ndëshkuese bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës.

Gjobat

Personi fizik ose personi juridik i cili nuk përfill dispozitat e këtij ligji, në procedurë ligjore, do të dënohej me të holla prej 100 deri në 10,000 euro.

Ligji ka përcaktuar se kur shkelja bëhet kundër të punësuarit nën moshën 18 vjeç, punëdhënësi apo personit tjetër përgjegjës, do të gjobitet me gjobë në lartësinë e dyfishit të përcaktuar në paragrafin e lartcekur.

Cilido person që bën diskriminim, kundër personit i cili kërkon punë apo kundër të punësuarit, sipas këtij ligji, do të gjobitet në lartësinë e trefishit të përcaktuar në paragrafin e lartcekur.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.