Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Cila ishte përgjigjja e drejtësisë për 5 mijë dosjet e dhunës në familje?

Ndonëse për shumicën prej nesh shtëpia konsiderohet si vendi më i sigurt për të qëndruar, njejtë nuk mund të themi edhe për viktimat e dhunës në familje.

Brenda katër viteve në vend janë regjistruar mijëra raste ndërsa në gjykatat e vendit janë zgjidhur mbi 5 mijë e 200 dosje të dhunës në familje.

Nga këto dosje, 3 mijë e 995 persona kanë marrë dënime me burg për dhunën në familje ndëra 993 raste u zgjidhën me urdhër ndëshkimor, 34 me aktgjykim lirues ndërsa u shqiptuan 126 masa të trajtimit të detyrueshëm. 

Një e dhënë tjetër tregon që gjykatat nuk kanë mundur të japin përgjigje në 59 raste, pasi të njëjtat u vjetërsuan.

Kriminaliteti në familje është i lartë dhe kjo dëshmohet edhe nga të dhënat e prokurorisë. Sipas këtyre të dhënave, në katë vite janë hapur 10 mijë e 274 dosje për dhunë në familje.

Sipas të dhënave të prokurorisë, 10% e rasteve kanë qenë mjaft serioze pasi të dyshuarit ishin dërguar në paraburgim, masë kjo e cila përdoret për t’i trajtuar rastet e rrezikshme ku personat mund t’i përsërisin veprimet apo t’i rrezikojnë sërish viktimat.

Me vendimet e tyre në periudhën 2016-2020 gjykatat kanë dërguar në paraburgim 1 mijë e 106 persona të dyshuar për dhunë në familje.

Prokuroritë e vendit për rastet e dhunës në familje kanë ngritur 5 mijë e 820 aktakuza të drejpërdrejta, çka nënkupton se për këto dosje nuk ka qenë i nevojshëm hetimi, pasi ka pasur mjaftueshëm prova në dosjet penale.

Për 1 mijë e 50 raste janë ngritur aktakuza me kërkesë për  urdhër ndëshkimor. Ndërsa 2 mijë e 869 aktakuza janë dorëzuar në gjykatë pasi prokuroritë kanë zhvilluar hetime ndaj personave të dyshuar që kanë kryer dhunë në familje. E nga hetimi ka rezultuar se ka dyshim të bazuar që personat kanë kryer këto vepra të dhunës në familje.

Duha në familje në Kodin Penal të Kosovës përcaktohet çdo veprim i cili paraqitet si dhunë, qoftë lëndim trupor, keqtrajtim serioz, kërcënim ndaj jetës së individit, dhunë psikologjike, ekonomike, si dhe kushdo që kryen këtë vepër konsiderohet se ka kryer vepër penale e cila është e ndëshkueshme me Kodin Penal të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dhunën në familje e paraqesin si dukuri negative që e cenon të drejtën për jetë.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Në total nga të dhënat e analizuara nga databaza, kuptojmë se për katër vite për periudhën 2016-2020, Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas ka pasur në trajtim 246 raste. 

Nga këto të dhëna shohim se komuna e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit, Prizrenit dhe e Prishtinës janë komunat të cilat kanë pranuar më së shumti lëndë nga rastet e dhunës në familje.

Gjatë vitit 2020, pas konfirmimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ekzistimin e pandemisë COVID-19, dhe pas konfirmimeve të rasteve të shumta në Kosovë, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori vendim për mbylljen totale të vendit. 

Të dhënat e analizuara na tregojnë se përgjatë vitit 2020, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka mbyllur 43 raste të raportimit të dhunës në familje.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2020, Agjencioni në procedurë të trajtimit ka pasur 106 raste të dhunës në familje.

Nga stataistikat, kuptojmë se për periudhën kohore 2016-2020, komunat si Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Mitrovica prijnë për numrin e lëndëve në procedurë, apo lëndëve të pazgjidhuara.

Duke u bazuar në të dhënat statistikore nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, mund të shohim se pavarësisht lëndëve të cilat janë në procedurë, Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020 ka mbyllur në total 41 raste.

Numri më i madh i lëndëve të mbyllura për vitin 2020 nga Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas është në komunën e Prizrenit, 14 raste të mbyllura.

Rastet e dhunës në familje të raportuara gjatë vitit 2021

Nga statistikat e pranuara prej institucioneve, kuptojmë se gjatë vitit 2021, 2486 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, ndërsa janë ushtruar 579 kërkesa për urdhërmbrojtje.

Nga të dhënat e pranuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, kuptojmë se prej rasteve të parashtruara për dhunë në familje, vetëm në 32 raste janë parashtruar kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente.

E nga kërkesat për urdhërmbrojtje të paraqitura nga mbrojtësit e viktimave, gjykatat tona kanë aprovuar 518 kërkesa, ndërsa janë refuzuar vetëm 17 raste.

Nga analizimi i këtyre të dhënave kuptojmë se gjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka lëshuar vetëm tri kërkesa për urdhra të përkohshëm emergjent.

Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje specifikon qartë se jashtë orarit të punës së gjykatave, kërkesa për urdhër të mbrojtjes së përkohshme emergjente mund t’i paraqitet Policisë së Kosovës.

Mirëpo në bazë të të dhënave nënkuptohet se Policia e Kosovës në raste jashtëzakonisht të rralla përdorin këtë mekanizëm, të cilin e kanë të përcaktuar me ligj, mekanizëm i cili po të përdorej në raste më të shpeshta, do të mund të shpëtonte disa jetë.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.