Si hartohen paditë për autorësi?

Një poezi e një autori apo një vepër muzikore, skulpturë, film, pikturë, etj., shumë shpesh rrezikon të kopjohet pa të drejtë. 

Autorët e këtyre materialeve mbrohen nga ligji në rastet kur ata pretendojnë se janë viktima të vjedhjes së pronës intelektuale.

E drejta e autorit është e drejtë e krijuesit të një vepre i cili gëzon të drejta specifike për të vendosur rreth përdorimit të veprës së tij. Ligji për të drejtat e autorit ka përcaktuar se të drejtat e autorit në bazë të pronës intelektuale, u takojnë autorëve përkitazi me veprat e tyre në lëmin e letërsisë, shkencës dhe artit. Lidhur me veprat e tyre autorët mund të vendosin rreth shfrytëzimit të veprës së tyre apo jo.

Në anën tjetër, pavarësisht kuadrit ligjor, praktika tregon se shpeshherë nuk merren veprime mbi të drejtat autoriale. Në Kosovë të dhënat na tregojnë që institucionet tona nuk kanë pasur në trajtim më shumë se një lëndë në vit.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat e grumbulluara për tri vite pasqyrojnë se rastet që kanë të bëjnë me autorësinë janë të pakta në gjykata për shkak se ligji ka hyrë në fuqi shumë vonë. 

Statistikat nga databaza, tregojnë se vitin 2016 gjykatat tona e filluan me një lëndë të pazgjidhur ku dhe pranuan në punë vetëm një lëndë. Kurse, të zgjidhura me aktgjykim gjykues, ku u aprovua kërkesë-padia, me marrëveshje gjyqësore, me hedhje poshtë të padisë ka rezultuar se nuk është zgjidhur asnjë lëndë.  Në vitin 2016, gjykatat mbetën me një lëndë të pazgjidhur.

Viti 2017, sipas të dhënave ka rezultuar se ka trashëguar një lëndë të së drejtës së autorit që së bashku me numrin e lëndëve të trashëguara nga viti pasues, gjyqtarët e Gjykatave Themelore në fillim të vitit 2017, në shqyrtim patën vetëm një rast, lëndë kjo e cila nuk u zgjidh as gjatë këtij viti.

Fillimviti 2018 nisi me një lëndë të pazgjidhur të trashëguar nga viti paraprak ku rezulton se u përmbyll me po të njëjtën mënyrë. Viti 2018, u përmbyll me 0 raste të zgjidhura, ndërkaq, një rast të ri të pranuar.

Çka janë të drejtat e autorit dhe kur mund të ushtrohet padi?

Autorët e veprave në lëmin e letërsisë, shkencës dhe të artit gëzojnë mbrojtjen lidhur me veprat e veta dhe shfrytëzimin e tyre, në përputhje me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Sipas këtij ligji, e drejta e autorit i takon autorit me vetë faktin e krijimit të veprës.

Vepra të autorit konsiderohen veprat gojore, siç janë fjalimet, leksionet, tregimet dhe vepra të ngjashme të shprehura gojarisht.Veprat e shkruara, siç janë tekstet në libra, broshurat, gazetat ditore dhe tekste të tjera në lëmin e letërsisë, literaturës shkencore e profesionale, si dhe programe kompjuterike.

Vepra të autorit po ashtu janë edhe veprat muzikore, me ose pa tekst, pavarësisht a janë të shprehura përmes notave apo në ndonjë formë tjetër, pastaj veprat teatrore teatrore-muzikore dhe të kukullave, përfshirë dhe radiodramat, veprat koreografike dhe të pantomimës, veprat filmike dhe veprat e tjera audiovizuele.

Vepra të autorit që mbrohen me ligjin për të drejtat e autorit janë edhe veprat fotografike siç janë fotografitë artistike, fotomontazhet, fotoafishet, fotografitë e reporterëve, pastaj veprat e artit figurativ në lëmin e pikturës, skulpturës, grafikës, vizatimit.

Vepra të autorit konsiderohen edhe veprat e arkitekturës, siç janë skicat, planet, maketat dhe objektet e ndërtuara të veprave arkitekturore dhe të inxhinierisë nga fusha e arkitekturës, etj. 

E drejta e autorit zgjat gjatë gjithë jetës së autorit dhe shtatëdhjetë (70) vjet pas vdekjes së tij.

Mbrojtja gjyqësore

Në rast të shkeljes së të drejtës së autorit, autori ka të drejtë që si bartës i kësaj të drejte përmes kërkesë-padisë të kërkojë gjetjen e ekzistimit të shkeljes së të drejtave, lëshimin e një vendimi që ndalon vazhdimin e shkeljes së të drejtës së tij autoriale si dhe parashtrimin e kërkesës për kompensim të dëmit material dhe jomaterial lidhur me shfrytëzimin e paautorizuar të së drejtës së tij atuoriale.

Autorit të së drejtës ligji i mundëson që shkelësi t’ia dorëzojë gjithë fitimin e arritur me shkeljen e të drejtës. 

Neni 182 i Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta specifikon se kur me dashje apo nga pakujdesia e rëndë shkelen të drejtat e autorit, atëherë bartësi i të drejtës mund të kërkojë kompensim në vlerë të dyfishtë pavarësisht dëmit që i është shkaktuar për shfrytëzimin e të drejtës autoriale. 

“Kur e drejta ekskluzive e paraparë me këtë ligj është shkelur me dashje apo nga pakujdesia e rëndë, bartësi i të drejtës mund të kërkojë pagesë të një shume apo shpërblim të caktuar për këtë lloj përdorimi, dhe atë në vlerë të dyfishtë nga kjo shumë, pa marrë parasysh, nga dëmi aktual i shkaktuar nga ai si pasojë e kësaj shkeljeje. Nëse një shkelje e tillë është kryer për qëllim të përfitimit pasuror, bartësi i të drejtës mund të kërkojë pagë apo shpërblim në vlerë të trefishtë nga shuma e tillë”, përcaktohet në ligjin për të drejtat e autorit.

Dispozitat ndëshkuese 

Në rast të shkeljes së të drejtave të autorit ligji ka paraparë edhe dënime me gjobë.

Në rast të shkeljes së të drejtës së autorit, dënimet varijojnë prej 2 mijë e deri në 25 mijë euro gjobë.

 

 Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.